Banka Kombëtare Tregtare (BKT) vazhdon të dominojë tregun e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare.
Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në fund të vitit të kaluar BKT kishte investime në vlerën e 126 miliardë lekëve në titujt qeveritarë. Kjo shumë përbënte 31% të investimeve të sektorit bankar në tituj dhe afërsisht 20% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare.
BKT ka një diferencë të ndjeshme me bankat e tjera në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, edhe falë disponibilitetit të lartë të fondeve krahasuar me bankat e tjera. Në fund të vitit të kaluar, BKT zotëronte pothuajse 27% të totalit të depozitave bankare. Pjesa e lartë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë ka një ndikim të rëndësishëm në rezultatin financiar të bankave, sepse siguron përfitime të kënaqshme me rrezik minimal.
Banka e dytë me pjesën më të lartë të tregut të titujve qeveritarë renditet Intesa Sanpaolo, me një portofol prej 66 miliardë lekësh ose rreth 16% të totalit të investuar nga sektori bankar në këto instrumente. E matur si peshë ndaj totalit të borxhit të brendshëm, përllogaritet se Intesa Sanpaolo në fund të vitit të kaluar financonte pak më shumë se 10% të borxhit të brendshëm publik.
Në vend të tretë renditet Raiffeisen Bank, me një portofol prej 51 miliardë lekësh ose sa rreth 12% e totalit. Dikur financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, Raiffeisen nisi uljen e ekspozimeve në këto instrumente afërsisht një dekadë më parë. Ky vendim u diktua nga grupi bankar zotërues, për shkak të vështirësive për shkak të rritjes së kërkesave për kapital në mbulim të aktiveve që grupi zotëronte në tregjet jashtë Eurozonës. Raiffeisen i orientoi klientët e vet të kanalizonin kursimet në fondin e investimit Raiffeisen Prestigj, që investon kryesisht në titujt qeveritarë.
Vijon Credins Bank, që në fund të vitit të kaluar zotëronte rreth 11% të ekspozimeve të sektorit bankar në tituj të qeverisë shqiptare, për një vlerë totale prej rreth 45 miliardë lekësh. Në vitet e fundit, Credins ka ndjekur një rrugë të kundërt me Raiffeisen. Deri para pak vitesh një bankë e fokusuar në pjesën dërrmuese te kreditë për sektorin privat, Credins gradualisht ka rritur peshën e investimeve në tituj, me qëllim diversifikimin e strukturës së aktiveve në bilancin e vet.
Pjesa e mbetur e investimeve të bankave tregtare në tituj të qeverisë shqiptare ndahet mes ABI Bank, me 9% të totalit, Tirana Bank dhe Union Bank me nga 6% secila, OTP Bank Albania me 5% dhe Alpha Bank dhe Fibank me nga afërsisht 2%. Procredit Bank ka më pak se 1% të portofolit të titujve, ndërsa Banka e Bashkuar e Shqipërisë nuk ka investime në këto instrumente.
Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar mbante gjithsej rreth 63% të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Në mesin e këtij viti, pesha e sektorit bankar është rritur në 64.35%, por kjo përfshin edhe një portofol të investuar për llogari të klientëve, rreth 6.1% të totalit./Monitor