Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të qeverisë dhe kryetarit të partisë.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Zaev në një konferencë për shtyp pas përfundimit të numërimit të votave për zgjedhjet lokale, të cilat i fitoi opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE.
Në konferencën për media nga Shkupi, Zaev uroi kundërshtarët politikë për fitoren në zgjedhjet lokale. Partia e Zaev shënoi humbje të thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. “Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, tha Zaev.