Tuesday, June 3, 2025

Hapja e fushatës/ Berisha paralajmëron Ramën: Mos guxo të prekësh votën!

Në nisje të fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale të 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh para mijëra mbështetësve se, sonte shqiptarët janë mbledhur dhe kanë bërë një betim solemn para Shqipërisë, për ta nxjerrë atë nga kthetrat e këtij regjimi të Edi Ramës. ‘Miqtë e mi, ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë. Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi. Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura’, tha ndër të tjera, Sali Berisha.

Fjalimi i liderit të opozitës u ndërpre disa herë nga duatrokitjet e demokratëve që të shumtë ishin mbledhur në sheshin “Nënë Tereza’ për të nisur rrugëtimin drejt fitores së zgjedhjeve më 11 maj.

Në çeljen e fushatës së PD- ASHM-së, lideri demokrat i çoi një mesazh kundërshtarit të tij politik Edi Rama, duke i thënë se lufta e tij me PD-në, është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës dhe se vetingu që ai bëri me lakejtë e tij vërtetuan atë që Sali Berisha është politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria.

‘Vetingu që i bëri me lakejtë e tu, tregoi se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë. Edvin, me atë veting, të cilin e nise si e nise, mund të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës’, theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha.

Në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale të 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se ai nuk ka kthehet për pushtet apo para, por për t’u kushtuar shoqërisë dhe fëmijëve të saj. Ai u shpreh se fuqia e një burri matet me dashurinë dhe pasionin për të ndihmuar vendin dhe shoqërinë, duke theksuar se PD është partia e rritjes dhe dyfishimit të pagave dhe pensioneve.

Berisha premtoi se, nëse do të jetë në pushtet, do të vendosë taksat më të ulëta në Europë dhe botë, për të mundësuar begatimin e shqiptarëve. Ai kritikoi qeverinë aktuale dhe theksoi se Shqipëria e pasur është nën shfrytëzimin e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij. Kryetari i PD-së theksoi se projekti i tij është për një Shqipëri të bukur dhe madhështore, një vend ku pasuritë natyrore do të shfrytëzohen për përfitimin e shqiptarëve. Berisha përfundoi fjalimin duke u angazhuar për ndihmën e atyre që përjetojnë vështirësi ekonomike dhe premtuar mbështetje për pensionistët, studentët dhe të papunët.

Me ardhjen në pushtet, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se do të ketë një luftë të ashpër ndaj korrupsionit në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit, Berisha u shpreh se auditi i përgjithshëm i “narkoshtetit” do të rikthejë në xhepat e shqiptarëve qindra miliona euro të vjedhura.

Ai akuzoi qeverinë aktuale për shpërdorimin e pasurive dhe pasigurinë që ka shkaktuar korrupsioni, ndërsa premtoi se të gjithë ata që janë pjesë e organizatave kriminale dhe ministrat e përfshirë në korrupsion do të dalin përpara ligjit.

Gjatë fjalës së mbajtur në hapjen e fushatës elektorale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se epërsia e PD është e pakrahasueshme me atë të kundërshtarëve. Ai akuzoi ata si “peng të shpirtrave të tyre mëkatarë” dhe theksoi forcën e besimit tek vlerat, liria, dhe kombi. Berisha i bëri thirrje mbështetësve të tij të angazhohen fuqishëm në fushatë dhe të besojnë se Shqipëria Madhështore është një projekt për çdo shqiptar, për çdo atdhetar. Ai premtoi se Shqipëria do të bëhet një vend më i jetueshëm, ku të rinjtë do të mund të realizojnë ëndrrat e tyre pa u larguar.

Kryetari i PD-së u shpreh se 11 maji është dita e votës së lirë dhe i bëri thirrje Edi Ramës të largohet nga pushteti. Berisha përfundoi me një mesazh të fuqishëm për bashkimin e shqiptarëve dhe fitore në zgjedhje.

‘11 maji është dita e votës së lirë. Sirenat e votës së lirë të shqiptarëve po bien në të gjithë Europën. Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua narkoshteti. Zotimi solemn se shqiptarët do votojnë të lirë. Dhe unë i them Edi Ramës, mos prek votën se në mënyrë absolute mbi tokë vend nuk do kesh’, theksoi gjatë fjalës së tij, lideri i demokratëve Sali Berisha.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë