Sunday, December 22, 2024

Grupet për të drejtat e njeriut: Talebanët vrasin për hakmarrje

Sipas organizatës “Human Rights Watch”, talebanët kanë kryer qindra ekzekutime dhe zhdukje njerëzish, në një seri veprimesh hakmarrëse, që nga marrja e pushtetit në Afganistan në gusht, pas tërheqjes së forcave perëndimore.

Organizata me bazë në Nju Jork, “Human Rights Watch” thotë se ka prova se forcat talebane kanë vrarë, ose rrëmbyer më shumë se 100 ish anëtarë të Forcave të Sigurisë Kombëtare të Afganistanit, në vetëm katër provinca, ku grupi kreu hulumtimet.

“Ata po vënë në shenjëstër njerëzit ndaj të cilëve kishin luftuar. Shumë raste që hulumtuam ishin njerëz të vijës së parë dhe që njiheshin nga talebanët”, thotë Patricia Gossman nga Organizata “Human Rights Watch”.

Grupi për të drejtat e njeriut thotë se siguroi prova përmes intervistave me 60 dëshmitarë, të afërm dhe zyrtarë talebanë.

Vrasjet dhe rrëmbimet janë dokumentuar në provincat Ghazni, Helmand, Kandahar dhe Kunduz, por sulmet kanë ndodhur përreth Afganistanit. Kjo ndodh pavarësisht premtimeve të talebanëve se nuk do të hakmerreshin pas marrjes së kontrollit të vendit.

“Ata ofruan amnisti; kjo u pohua nga zyrtarë të lartë në Kabul. Por në terren ajo nuk zbatohet, të paktën ndaj disa njerëzve. Ata ndjekin njerëz të caktuar, bazuar në marrëdhëniet personale, armiqësitë ose rolin që kanë pasur”, thotë zonja Gossman.

Hulumtuesit thonë se talebanët përdorën të dhënat e punësimit të lëna pas nga ish-qeveria afgane, për të identifikuar, arrestuar dhe ekzekutuar njerëzit.

“Ato që në fillim dukeshin si vrasje për hakmarrje të momenteve të para kaotike, tani duken shumë më të qëllimshme. Janë përhapur në provinca tjera dhe duket se janë pjesë e një strategjie sigurie për të mos lejuar krijimin e një opozite kundër tyre”, thotë zonja Goosman.

Talebanët thanë se i kanë shkarkuar ata që kryen abuzime, por nuk kanë dhënë detaje, apo prova për këtë.

Në një fjalim në televizionin kombëtar të dielën, kryeministri në detyrë i qeverisë talebane, akuzoi ish-zyrtarët e qeverisë për nxitje të problemeve.

“Duhet të jeni vigjilentë. Të mbeturit nga qeveria e mëparshme, duke u fshehur, po bëjnë komente duke shkaktuar ankth, duke mashtruar njerëzit, që të mos i besojnë qeverisë”, tha Mullah Mohammed Hassan Akhund, Kryeministër i përkohshëm i talebanëve.

Organizata “Human Rights Watch” i ka kërkuar OKB-së të mos i ndërpresë hetimet për abuzimet e kryera nga talebanët.

Shtetet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar bllokuan fondet e bankës qëndrore afgane me një vlerë prej 9.5 miliardë dollarësh, kurtalebanët morën pushtetin.

Agjencitë e ndihmave paralajmërojnë për mundësinë e shpërthimit të një katastrofe humanitare, ndërsa miliona njerëz janë pa paga, ose pa punë dhe kur shërbimet bazë për popullsinë janë në prag të falimentimit dhe shumë afganë po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre./VOA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë