Sunday, September 8, 2024

Gjyqi për tragjedinë e Gërdecit, Shkëlzen Berisha në GJKKO: Dëshmia ime nuk ka lidhje me akuzën e ngritur, teatër politik

Seanca e radhës gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit u mbajt ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në ambientet e GJKKO-së u paraqit mëngjesin e sotëm djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, i cili dha dëshminë e tij lidhur me çështjen “Gërdeci”.

Pasi ka dalë nga ambientet e GJKKO-së ku ka dhënë dëshminë e tij, Shkëlzen Berisha u shpreh se është i vetmi dëshmitar që nuk ka lidhje me çështjen “Gërdeci”.

Për takimet me Mediun dhe Bumçin, Shkëlzen Berisha ka deklaruar se janë bërë në kuadrin personal, të cilët i cilëson miqtë e tij para dhe pas marrjes së posteve drejtuese gjatë kohës kur ndodhi tragjedia e Gërdecit. Duke qenë se thotë që nuk ka lidhje me këtë dosje, Shkëlzen Berisha e quan procesin gjyqësor, një proces politik.

Sjellim në vëmendje se në Shtator të këtij viti, Prokuroria e Posaçme thirri dhjetëra dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. Mes emrave që SPAK kërkoi të dëgjohen nga gjykata ishte edhe Shkëlzen Berisha. Ai është thirrur dhe më herët nga SPAK në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e çështjes.


Prononcimi i plotë i Shkëlzen Berishës pas dhënies së dëshmisë në GJKKO:

Shkëlzen Berisha: E vetmja telefonatë që ka pasur lidhje, ka qenë për të ndjerin për të ditur fatin e tij.

Po në lidhje me takimet që keni pasur me Bumçin dhe Mediun, a kanë pasur lidhje me Gërdecin?

Shkëlzen Berisha: Të gjitha takimet kanë qenë në lidhje me çështjet personale, politike, të natyrave të tjera. Asnjë lidhje as me këtë çështje dhe as me VKM të tjera.

Po lidhja juaj me Delijorxhin, cila ka qenë?

Shkëlzen Berisha: Delijorxhi përveç se ka qenë i përfshirë në këtë çështje, ka qenë edhe sipërmarrës dhe kjo është mënyra si e kam njohur unë.

Është përfolur shumë për një faks që është dërguar nga Ministria e Drejtësisë në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, me mbishkrimin për Shkëlzen Berishën. Në fakt, asnjëherë nuk ka pasur qartësi për këtë çështje. Dua të di, a keni bërë kallëzim në prokurori në momentin që ky faks, sikurse e thatë, u vutë në dijeni nga media?

Shkëlzen Berisha: Qartësia ime ka qenë që në fillim, kam thënë që ky faks as nuk është nisur nga adresa ime, as nuk ka mbërritur në adresën time. As nuk e njoh atë që e ka nisur dhe as atë që e ka pritur. I takon prokurorisë të na thotë nëse faksi është origjinal ose jo. Nëse faksi është i falsifikuar, duhet ta thotë se kush e ka falsifikuar, nëse është origjinal, duhet të thotë se kush e ka shkruar.

Cila është lidhja juaj me Fatmir Mediun gjatë kohës së Gërdecit dhe pas kohës së Gërdecit? Çfarë raporti keni ju me të? Ka një çështje të veçuar për Gërdecin dhe për çështjen e municioneve, a jeni thirrur ju nga SPAK për pjesën tjetër të veçuar?

Shkëlzen Berisha: Mediun dhe Bumçin i kam miq para se të kishin funksionin e ministrit, i kam dhe sot miq. Jam thirrur këtu para 1 viti dhe kam dalë dhe kam dhënë arsyen pse jam thirrur.

Prokuroria thotë se ditën e ngjarjes së Gërdecit me Mediun keni pasur disa komunikime, për çfarë keni komunikuar?

Shkëlzen Berisha: Kam diskutuar për një çështje të tij personale.

Pranuat që keni takuar ministrat Mediu dhe Bumçi gjatë kohës që ato mbanin këtë funksion, çfarë bisedash bënit?

Shkëlzen Berisha: I kam takuar para se të mbanin funksione të tilla. Biseda është siç i bëni me miqtë që i njihni.

Në këndvështrimin tuaj, a është hetuar Gërdeci siç duhet?

Shkëlzen Berisha: Tragjedia nëse është hetuar siç duhet, nuk jam gjykatës dhe as prokuror. Politizimi i tejskajshëm nuk e ka ndihmuar, as hetimin dhe as të vërtetën. Akuza ka thirrur 71 dëshmitarë që ndahen në 3 kategori, janë ose familjarë të prekur nga tragjedia, ose punonjës të shtetit ose punonjës që kanë pasur lidhje me procesin e demontimit. Unë jam i vetmi dëshmitar që nuk ka lidhje me asnjë nga këto 3 kategori. Dëshmia ime nuk ka lidhje me akuzën e ngritur. Asgjë që u thanë aty nuk kanë lidhje me akuzën. E konsideroj thirrjen time në këtë proces, absolutisht teatër politik. Në kontekstin që në mëngjes thirret djali, në drekë gjykohet babai dhe në darkë ekzekutohet masa e sigurisë. Unë jam thirrur para një viti dhe kam dhënë dëshminë.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë