Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka thyer heshtjen lidhur me rihapjen e çështjes së dosjes “Gërdeci”, menjëherë pas vendimit të Apelit të GJKKO.
Në një konferencë për mediat, kreu i Partisë Republikane, tha se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme dhe vendimin e Apelit të GJKKO, ishin akte në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjatë fjalës së tij, Mediu, nën cilësinë e të pandehurit, theksoi se nuk ka patur lidhje direkte apo indirekte me ata që kanë zhvilluar biznesin e demontimit të armëve në Gërdec. Por si ministër ka zbatuar vetëm vendimin e Këshillit të Ministrave të marrë asokohe.
Madje ish-ministri ka shtuar se vetë ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij, duke u shprehur se vite më parë Prokuroria e kishte hetuar dhe përgjuar atë dhe familjen e tij.
Sipas Fatmir Mediut, SPAK por edhe GJKKO po keqinterpretojnë faktet, duke hedhur akuza se një gjë e tillë po bëhet me synimin për të manipuluar opinionin publik dhe për ta nxjerrë atë si përgjegjës për tragjedinë.