Finalja e Ligës së Konferencës që do të zhvillohet në stadimiun “Air Albania” në Tiranë më 25 maj, ka zgjuar interesimin e shumë tifozëve, veçanërisht të Romës dhe Fejnordit, dy ekipeve finaliste.
Megjithatë, jo të gjithë ata që kanë siguruar një biletë do të vijnë në Tiranë, pasi disa prej tyre i kanë nxjerrë në shitje në platforma si Ebay. Dy bileta janë vënë në shitje për 10 mijë euro, çka do të thotë se një biletë kushton 5 mijë euro, shkruan Corriere Della Sera.
Tifozët e Romës janë shprehur të indinjuar pasi kërkesa nga ana e tyre për t’u pajisur me biletë ka qenë shumë e lartë, por UEFA i ka vënë në dispozicion klubit italian vetëm 3500 të tilla.
Ndërsa, edhe skuadra e Fejnordit ka pasur rezervat e saj në lidhje me biletat e shpërndara nga UEFA pasi kërkesat kanë qenë të shumta nga tifozët holandezë.
UEFA do të nxjerrë në faqen e saj zyrtare 10 mijë bileta në shitje, ku çmimet e tyre variojnë nga 80 deri në 125 euro.