Banka Qendrore e Rusisë deklaroi se ekonomia vendase pritet të tkurret me 8 deri në 10% në vitin 2022 dhe se nuk do të rimëkëmbet deri në fund të vitit të ardhshëm.
Aktiviteti ekonomik filloi të bjerë në muajin mars, pasi Rusia pushtoi Ukrainën dhe u vendosën sanksione nga vendet perëndimore, shkruan CNN.
Banka tha se ka pasur një tkurrje në aktivitetin e konsumatorit e të biznesit, si dhe rënie të importeve dhe eksporteve.
“Mjedisi i jashtëm për ekonominë ruse mbetet sfidues dhe kufizon ndjeshëm aktivitetin ekonomik”, thuhej në deklaratën e Bankës Qendrore të Rusisë.
Në fillim të këtij muaji, Banka Botërore parashikoi që PBB-ja ruse do të tkurret me 11.2% në 2022, ndërsa javën e kaluar, FMN parashikoi një tkurrje prej rreth 8.5% këtë vit.
Banka Qendrore e Rusisë uli normat e interesit nga 17% në 14%. Ngadalësimi i aktivitetit të konsumatorit dhe rimëkëmbja e rublës ka lehtësuar pak normën e inflacionit në vend.