Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit në Tiranë, ku një apartament në katin e tretë të pallatit është përfshirë nga flakët.
Nënë e bir janë hedhur nga dritarja për t’u shpëtuar flakëve të zjarrit, dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spital Hava Osmënaj 62-vjeç, pasi ka marrë plagë të rënda nga rënia prej lartësisë.
Djali i saj Klodjan Osmënaj 36-vjeç, ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Mësohet se banesa është përfshirë nga flakët rreth orës 05:55 të mëngjesit sot. Nuk dihen ende rrethanat dhe shkaqet e rënies së zjarrit.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 05:55, në Astir, ka rënë zjarr në katin e 3-të një pallati. Dyshohet se në pamundësi për të dalë jashtë gjatë kohës së zjarrit janë hedhur nga lartësia( dritarja) shtetasja Hava Osmenaj, rreth 62 vjeçe dhe djali i saj Klodjan Osmenaj, 36 vjeç. Si pasojë ka ndërruar jetë shtetasja Hava Osmënaj, ndërsa shtetasi Klajdi Osmënaj, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.