Friday, May 9, 2025

Dy muaj pa mbyllur vitin, qeveria mban të pashpenzuar 45% të programit të investimeve

Dy muaj pa mbyllur vitin buxhetor, Ministria e Financave nuk ka përdorur gati gjysmën e programit të investimeve.

Në zërin e investimeve kapitale prej 132 miliardë lekësh për vitin 2021 janë planifikuar 104 miliardë lekë investime në projekte të infrastrukturës, kryesisht rrugore dhe 28 miliardë investime në programin e rindërtimit.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në fund të periudhës 10- mujore ishte realizuar vetëm 55 % e programit të investimeve në infrastrukturë, ndërsa në programimin e rindërtimit ecuria ka qenë më e mirë pasi është realizuar në janar-tetor 79 për qind e programit vjetor.

Në zërin e investimeve kapitale rezultojnë të jenë alokuar 57 miliardë lekë në 10- mujor nga 104 miliardë të programuara. Qeveria kur miratoi buxhetin e vitit 2021 programoi një vlerë historike në programin e investimeve, e cila mori edhe kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili e këshilloi qeverinë që në vend të disa projekteve të investimeve të forconte masat për mbrojtjen sociale dhe shtresave në nevojë.

Kur hartoi buxhetin e vitit 2021 qeveria shqiptare programoi një plan rekord investimesh publike me vlerë 120 miliardë lekë. Më vonë gjatë qershorit qeveria me një akt normativ të posaçëm në thyerje të rregullave fiskale (https://www.monitor.al/borxhi-publik-del-nga-binaret-qeveria-thyen-rregullin-fiskal-del-kunder-fmn-se/) e rishikoi sërish me rritje planin e investimeve, duke e çuar totalin në 132 miliardë lekë. Por tani kur 80% i buxhetit është zbatuar, është realizuar vetëm 55 për qind planit vjetor të investimeve.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave shpjeguan në Kuvend se, disa nga projektet e investimeve publike do të financohen me emetimin e Eurobondit me vlerë rreth 650 mln euro, por nëse kjo shumë do të përdoret në muajin dhjetor rrezikon të zhbalancoje disa tregues makroekonomikë, të tillë si inflacioni.

“Financimi i siguruar nga Eurobond-i do përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të alokohet për shpenzime publike në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura si dhe në mbështetje të investimeve publike, të cilat synojmë t’i ruajmë mbi nivelin 5% të PBB. Një pjesë e Eurobond-it do mbetet në Thesar, për nevoja të financimit për vitin 2022”, tha në Kuvend pak ditë më parë, Ministria e Financave, Delina Ibrahimaj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka vërejtur se gjatë zbatimit të buxhetit përgjatë vitit 2020 qeveria ka treguar mungesë serioziteti dhe për me tepër ka shkelur ligjin gjatë zbatimit të programit të investimeve publike.

KLSH tha në raportin dërguar Kuvendit se qeveria nënshkroi mbi 500 kontrata për investime publike me vlerë të kontraktuar rreth 23 miliard lekë (rreth 190 milionë euro), pas datës 15 Tetor 2020, jo në përputhje me kërkesat e ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor.

Kontraktimet më të mëdha u bënë në Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë rreth 10 miliard lekë dhe Ministria e infrastrukturës me vlerë 7.8 miliard lekë.

Gjithashtu u gjetën rreth 10 milionë euro (1,23 miliardë lekë) shpenzime korente që në realitet janë klasifikuar si shpenzime kapitale.

Për shembull Autoriteti Rrugor Shqiptar i raportoi si investim shpenzimet për vendime për shlyerjen e vendimeve gjyqësore./ Revista Monitor

Burimi: Ministria e Financave
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë