Të paktën 36 anëtarë të forcave qeveritare siriane janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në provincën veriore të Alepos, tha më 29 mars një monitorues i luftës.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet ajrore izraelite, që ndodhën në orët e para të së premtes, shënjestruar një depo armësh që i përkiste grupit militant libanez, Hezbollah – që mbështetet nga Irani – në zonën Xhibrin, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Alepos.
Ky grup monitorues ka dokumentuar dhunën në Siri që nga viti 2011.
Kreu i Vëzhguesit sirian, Rami Abdel Rahman, tha se bombardimet izraelite po ashtu shënjestruan disa fabrika në al-Safira, dhe shpërthime janë dëgjuar edhe në perëndim të Alepos.
Ai tha se shpërthime po ndodhin ende në Siri, duke shtuar se numri i viktimave pritet të rritet pasi shumë nga të plagosurit kanë pësuar lëndime serioze.
“Numri i viktimave në mesin e trupave qeveritare siriane është më i larti, krahasuar me sulmet e mëhershme izraelite që kanë shënjestruar zonat siriane”, tha Vëzhguesi.
Izraeli ka kryer rreth 26 sulme në Siri që nga nisja e vitit 2024, tha grupi.