”Konfidenciale” sjell detaje të reja nga ngjarja tronditëse e ndodhur këtë të martë në një lokal në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku mbeti i vrarë një 35-vjeçar dhe u plagosën 4 të tjerë.
Viktimë nga kjo ngjarje mbeti Erion Çela, 35 vjeç, me origjinë nga Dibra, ndërsa u plagosën vëllai i tij, Blerim Çela, 28 vjeç, Arben Dani 46 vjeç, Edmond Crroj 41 vjeç dhe kamarieri i lokalit Azbi Selimaj, 19 vjeç.
Teksa viktima nuk raportohet të ketë precedentë penalë, daja i tij Edmond Crroj rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për drogë në Itali. Po sipas burimeve për Klan News, ai mësohet se më parë ka mbajtur dhe emrin Adriatik Crroj.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ngjarja ka ardhur për larje hesapesh apo si pasojë e një konflikti të çastit.
Autorët, identiteti i të cilëve nuk dihet ende, u larguan me një Mercedez Benz me targa të vjedhura nga një makinë Smart në Tiranë.
Autorët dyshohet se hapën zjarr nga brenda makinës dhe personi që qëlloi dyshohet të ketë qenë një i vetëm. Edhe makina me të cilën ata udhëtonin dhe u larguan dyshohet se është e vjedhur.
4 të plagosurit ndodhet në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.