Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Çlirim Gjata u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha mund të fitojë gjyqin në Gjykatën e Parisit.
Në një lidhje direkte me Skype në Syri Tv, Gjata tha se pranimi i padisë, bën që kjo Gjykatë t’i kërkojë prova Sekretarit Amerikan të Shtetit për akuzat në adresë të Berishës.
Sipas tij, nëse pala tjetër nuk paraqet asnjë fakt, atëherë gjykata pranon padinë e Berishës dhe për rrjedhojë lideri historik i PD fiton gjyqin.
Çlirim Gjata: ”Lidhur me padinë e Berishës kundër Blinken, është plotësisht në të drejtën e tij. Berisha nuk ngriti padi kundër vendimit administrativ, por kundër motivacionit se e konsideron shpifje. Dhe kjo i ka gjetur të papërgatitur ata zotëritë. Gjykata franceze e ka marrë në shqyrtim dhe kur të caktojë seancën, Blinken ka për detyrë të çojë provat atje sepse zoti Berisha qenka i korruptuar apo ka ndihmuar ai me familjen e tij ka ndihmuar në mënyrë të paligjshme aleatët e vet dhe ka minuar demokracinë. Sepse padia për shpifje këtë ka, nuk është barra e provës te paditësi, por te i padituri. Prandaj duhet të sjellë prova. E dyta, ka një moment që nuk e ka trajtuar njeri deri sot, do të ishte mirë që një avokat i Uashingtonit që merret me punët juridike, ta trajtonte sepse masa të tilla siç janë ‘non grata’, duhet të ketë një vendim të formës së prerë penal ose administrativ, ose një proces të hapur. Zoti Berisha nuk ka asnjë nga këto. Është pretenduar edhe nga vetë figurat amerikane që ai nuk ka as proces të hapur, por as masë penaliteti. Dhe kjo masë bie në kundërshtim me ligjin. Por Berisha nuk i ka hyrë as kësaj, por ka trajtuar vetëm motivacionin në atë të drejtën e tij, që është një e drejtë universale njerëzore, mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit të tij.”