Cicërima në twitter e “studiueses gjermane” Suzana Starikov, siç pritej, është përceptuar krejt në mënyrë sipërfaqësore nga opinioni publik në Shqipëri.
Mediat pro dhe kundër Edi Ramës, janë marrë vetëm me pjesën e entuziazmit apo pezmit që kryeministri shqiptar është kandidat për në krye të organizatës politike ushtarake më të fortë të botës, e jo me qasjen e dytë të atij shënimi, që është realisht “bomba e madhe”.
Starikov, pas rrebeshit që hapi cicërima e saj, e që ishte i pritshëm, bëri të ditur se ishte një “shaka e lezeçme e 1 prillit”, megjithatë në një batare twitter-esh pas reagimeve që i erdhën, ajo flet edhe më tej, duke e bërë edhe më të dendur mjergullën që përhapi në ditën e gënjeshtrave.
Në një cicërimë të sajën, duke ju përgjigjur reagimeve, ajo thotë ndër të tjera, se “është herët për të folur për kreun e ri të NATO-s, ngaqë mandati i Stoltenbergut skadon në shtatorin e vitit të ardhshëm, por nëse Rama do të kandidonte, i duhet të largohet nga posti i kryeministrit, pikërisht në dhjetorin e këtij viti”.
E në fakt pikërisht ky është lajmi që do të duhej të interesonte publikun shqiptar.
Pra, që kemi të bëjmë me zëra që vijnë nga qendra e Europës, të cilët flasin për një largim të Edi Ramës që në fund të këtij viti.
Suzana Starikov është shqiptare që jeton në Gjermani dhe njihet tek lexuesit këtu si përkthyesja e romanit “Ujku i Stepës”, e shkrimtarit të njohur gjerman, Hermann Hesse.
Suzana, mbiemrin e vajzërisë e ka Skënderi, e publikon lajme e analiza në një portal të sajin në gjermanisht.
Po kush e porositi “shakanë e 1 prillit” që ta shkruajë Suzaba Skënderi, e të shkaktojë tollovi në mediat jo vetëm shqiptare në Tiranë e Prishtinë, por edhe në ato serbe, kroate e malazeze, që i kanë bërë jehonë.
Thashethemi për largimin e Ramës në NATO, u dha nga mediat pranë opozitës e që janë dashamirëse me Erion Veliajn, që pas fitimit të mandatit të tretë nga Partia Socialiste, pra në verën e 2021.
Duket që ka qarqe brenda PS-së, të cilët duan të hapin sa më shumë idenë e një largimi të Ramës dhe një loje të caktimit të pasardhësit të tij. Gjë që e tha troç Nikollë Lesi në një shkrim të tijin, ku thekson gjithashtu se Erion Veliaj është pasardhësi. E këtu në fakt qëndron e gjithë kleçka.
Rasti i parë i një politikani ballkanik që ka shkuar në postet e larta të NATO-s është ai i Kolinda Grabar Kitareviç, e cila ka qenë Zv.Sekretare e NATO-s dhe Drejtore e Zyrës së Diplomacisë publike, pra e medias dhe komunikimeve.
Pas kësaj ekperience ajo u zgjodh Presidente e Kroacisë, ku qëndroi vetëm një mandat.
Që një vend si Shqipëria të marrë kreun e NATO-s, do të duhet të ketë të paktën një shtet të organizatës që të mos e kundërshtonte këtë version, gjë që është e pamundur. Ndaj gjithmonë në krye të NATO-s ka pasur drejtues nga vende të beneluksit, skandinav apo edhe të gadishullit Iberik, që kanë konsensus e marrëdhënie me të gjitha zërat brenda organizatës; pra si SHBA, si Francës e Gjermanisë, por edhe Turqisë si vend mjaft me peshë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Gjithsesi, edhe versioni i daljes së këtij lajmi nga Tirana, tregon se nuk kemi të bëjmë me gjë të pa kontrolluar, përkundrazi është PR i menduar mirë. Nëse atë e ka orkestruar Veliaj thjesht me kokën e vet, ajo do të zbulohej dhe do t’i drejtonte kundër tij bateritë e kundërshtarëve në PS me egërsi se “përse je tallur me ‘Skendërbeun’ tonë”. E do ta godisnin pa mëshirë, ngaqë edhe ju ka ardhur në majë të hundës me pushtetin e pakufizuar të kryebashkiakut të Tiranës edhe në PS.
Duket se ky ‘fake news’, është një sinjal i orkestruar nga Rama, drejtuar natyrisht ndërkombëtareve, se ai është gati për të hapur rrugë, madje edhe në dhjetorin e këtij viti, mjaft që të gjenden mekanizmat për këtë. Në mos në NATO, një lëvizje e tillë edhe mund të gjendet, e kështu nuk do të ketë ide për mandat të katërt, veçse ndërkombëtarët duhet të sistemojnë Sali Berishën dhe Ilir Metën. E këtu hyn Veliaj, i cili ngaqë zotëron informacion në nivele të larta, po përfiton para Kongresit të PS të sigurojë epërsi ndaj kundërshtares së tij më të egër Belinda Ballukut. Megjithatë, gjërat do të lëvizin me shpejtësi shumë të madhe këto muaj. Fjala është për SPAK, që mund të djegë si karrierat në “ngjitje” ashtu edhe të fundosë ata që po mbajnë me thonj privilegjet 30 vjeçare.