Kryeministri Edi Rama thotë se SPAK ka mbështetjen e Partisë Socialiste dhe sqaroi se kjo forcë politike nuk do të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, për të dhënë shpjegime publike mbi përfshirjen e emrit të saj në aktakuzën ndaj Erion Veliajt, Rama u shpreh se Bushka e ka marrë vesh lajmin përmes televizorit.
Sipas Ramës, Bushka duhej thirrur dhe pyetur për këtë çështje.
“Në të shkuarën, kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletariatit. Sot, kjo është në letër, duhet të jetë në realitet. Këtu kemi një problem, dhe këtu duhet të marrim një përgjegjësi, sot në debatin publik ka dy palë. Njëra që duartroket dhe brohortet sa herë që shfaqet “gijotina”, sipas asaj pale, të gjithë janë për burg, litar, për t’u vrarë dhe tjetra, pala që sulmon në mënyrë banditeskte organet e reja të drejtësisë dhe shënjestron me libër shtëpie, prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë punën e tyre, duke filluar nga drejtuesi i SPAK, që ka të gjithë solidaritetin tonë, për baltën që ka marrë vazhdimisht. Mungon një palë konstruktive, që duhet të jetë garante e pavarësisë së gjyqësorit, por edhe garanate e të drejtave, lirive, standardeve demorkatike, ndryshie bien në kurthin e diktatiruës.
Është e pakonceptueshme që kryetarja e komisionit të ligjeve, pa hyrë në meritën e çështjes, pa diskutuar fare, a ka apo nuk ka të drejtë akuza që e përfshin në atë roman 400 faqe, e merr vesh nga televizori, e merr vesh duke dëgjuar gazetarët specialë. Kjo është e papranueshme. Kjo forcë politike nuk do marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por sot e tutje, kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljes së standardeve”, theksoi ai.