Ish-kryeministri Sali Berisha i ka cilësuar si një proces dhe mision historik, zgjedhjet e së dielës për kryetar të Partisë Demokratike.
Pasi votoi në selinë qendrore, Berisha tha në një deklaratë për mediat se procesi nuk është historik vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë.
Berisha krahasoi procesin zgjedhor në PD me atë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, që sipas tij, është mafioz dhe antikushtetues.
“Theksova se ky është një proces historik jo vetëm për PD por edhe për mbarë Shqipërinë, sepse është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre, por sepse është një proces që zhvillohet paralel nga një proces i mirëfilltë mafioz, antikushtetues, ai i zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Është mafioz dhe antikushtetues sepse bazohet mbi grabitjen dhe dhunimin masiv të vullnetit të lirë dhe votës së lirë të shqiptarëve dhe kolaboracionizmit të shpifur të Edi Ramës me pseudo opozitën. Sot në këtë proces, mbarë shqiptarët shohin dritën e shpresës për të ardhmen.”, tha ish-kryeministri.
Në lidhje me vendimin që mund të marrë Gjykata e Apelit për ankimin e Enkelejd Alibeaj për statutin, Berisha u shpreh se nuk ka vendim që mund të ndalë misionin historik të demokratëve shqiptarë.
Në garë kundër Berishës është ish-drejtuesi Partisë Demokratike të Kukësit, Ibsen Elezi.