Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos ndëshkojë shqiptarët për keqqeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij në protestën para godinës së Kryeministrisë, Berisha tha se shpresonte që BE-ja të hapë negociatat me Shqipërinë këtë javë.
“Këtë javë shpresoj që BE-ja të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë, mos të ndëshkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do çdo gjë, por negociatat me BE nuk i do, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq siç është, demon i pushtetit, kryehajdut i Evropës”, tha kryedemokrati.
Sipas tij, populli opozitar i thotë jo nismës rajonale Ballkani i Hapur dhe se mbështet Procesin e Berlinit, që do të garantojë rrugën europiane të Shqipërisë.
Protesta ka moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”. Dyert e godinës së Kryeministrisë dhe të Kuvendit janë blinduar.
Mbi 1000 efektivë të policisë janë të angazhuar në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.