Avokati Spartak Ngjela, ka komentuar mesazhin e ambasadores së SHBA Yuri Kim ndaj kandidatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në një prononcim për gazetën “Sot”, avokati u shpreh, se deklarata e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, ishte një deklaratë e vërtetë.
Ai theksoi, se ambasadorja flet me udhëzime nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nuk mban qëndrime personale. “Ambasadorja nëse do kishte gënjyer do ishte problem tjetër, ama ambasadorja tha një të vërtetë, dhe është një e vërtetë e cila nuk ka dalë në Shqipëri, por deklaroi se ky person është “non grata” në Amerikë dhe se nuk mund të bëjë karrierë në Shqipëri sepse është “non grata” në Amerikë dhe ne këtë nuk e pranojmë. Ambasadorja flet me udhëzime nga Departamenti i Shtetit, nuk mban qëndrime personale”, tha ai.
Ndër të tjera, avokati u shpreh se mesazhi ambasadores Yuri Kim ishte një këshillë me vlerë për kandidatët e Berishës që të mos merren me një person që është shpallur “non grata” nga Amerika. Ai theksoi, se thirrja e ambasadores ishte që kandidatët të mos mbajnë lidhje me “non grata”. “Ambasadorja nuk gënjeu, kur tha mos u sponsorizoni nga persona “non grata”. Kjo ishte një këshillë me vlerë për ta, sepse tha që kur një person “non grata” që është shpallur për korrupsion duhet ta mendoni mirë kur të rrini me të. Në këto momente, i ka dhënë ndihmë duke i thënë se s’keni pse merreni me njerëz që janë “non grata” për të cilët nuk dihet ende se ca kanë të tjera gjëra në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare”, u shpreh avokati.