Gazment Bardhi ka reaguar për herë të parë pasi GJKKO i caktoi ish kryeministrit Sali Berisha, masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, lidhur me privatizimin e ish kompleksit sportiv, “Partizani”.
Në një konferencë për mediat nga Kuvendi, Bardhi u shpreh se mbështet barazinë para ligjit.
Edhe pse për të, masa e kufizimit të lëvizjes për Berishën përbën shkelje të kushtetutës, Bardhi nënvizoi se do të votojë në favor të çdo kërkese, që do të vijë në Kuvend, pasi sipas tij, askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin.
“Personalisht mbështes pa asnjë rezervë barazinë e cilitdo përpara ligjit. Në një vend demokratik duhet të ketë zero imunitet për parlamentarët. Mirëpo, Kushtetuta e Shqipërisë në rastin e të zgjedhurve ka ofruar disa garanci shtesë, që duhet të sigurohen pa asnjë përjashtim. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet një masë sigurimi që kufizon lirinë në çfarëdo lloj forme, prokurori është i detyruar të kërkojë autorizim nga Kuvendi.
Dje jam njohur me vendimin e zbardhur të GJKKO që cakton në mënyrë të njëkohshme dy masa sigurimi ndaj zotit Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK.
Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor.
Presonalisht do të votoja në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinte në Kuvend, si shenjë e besimit tim se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin apo të gëzojë një status të vecantë në raport me secilin prej votuesve tanë.”, theksoi ai.