Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar kritike stuatën në të cilën ndodhet Shqipëria në këtë moment.
I pranishëm në Korçë, aty ku po mban foltoren e radhës me demokratët, Berisha tha se kjo qeveri e kryesuar nga kryeministri Edi Rama e ka bërë Shqipërinë ‘delen e zezë’ të Ballkanit dhe Evropës.
Sipas Berishës, Shqipëria u kthye në vendin e dytë në botë për korrupsion.
“Unë kam ardhur për të biseduar me ju për një situatë kritike ku është sot Shqipëria. Dhe kjo nuk është kritike se e themi ne për propagandë. E vërteta është se 8 vitet që kaluan ishin vitet më të mbrapshta për këtë vend pasi në vend të një përparimi, ne kemi bërë regres të madh. Nga kjo qeverisje, Shqipëria u shndërrua në delen e zezë të Ballkanit dhe të Europës; nga kjo qeverisje u ndërtua në Shqipëri sipas analistëve të institucioneve të shquara, narkoshteti i parë në Europë; nga kjo qeverisje, Shqipëria u kthye në vendin e dytë në botë për korrupsionin; nga kjo qeverisje, 520 mijë shqiptarë u larguan pesë vitet e fundit nga Shqipëria; nga kjo qeverisje, Shqipëria sot është vendi me rrogat më të ulëta në rajon, ndërkohë që 8 vite më parë, kishte rrogat më të larta; nga kjo qeverisje humbëm yllin tonë polar, që ishte integrimi në Bashkimin Europian,”- tha Berisha ndër të tjera.