Një deputet është në parlament për të hartuar ligje, për të mbrojtur interesat e atyre që përfaqëson. Është në parlament për të hetuar qeverinë. Ndaj Kushtetuta ka përcaktuar në mënyrë taksative të drejtën për ngritjen e komisioneve parlamentare. Këto të drejta nuk ekzistonin më. Dërguam 6 komisione.
E vërteta është se të 6 synonin kreun e Meduzës, Edi Rama. Jo për politikë, por për interes shoqëror dhe kombëtar. Të 6 u refuzuan në mënyrë antikushtetuese. U dërgua komisioni për aferën McGonigal, që ishte zhvilluar në zyrën e kryeministrit, në bashkitë socialiste, në gjobëvënie në Tiranë dhe Durrës. Aferë e cila tronditi Amerikën, tronditi Europën dhe që ka përfunduar në gjykatat amerikane. Ne nuk u lejua që ta hetonim.
SKAP-i i partisë deklaroi se nuk merrem me atë punë, tani thonë se ka nisur një hetim sa për të larë gojëm.
Dërguam komisionin tjetër hetimor parlamentar për konfliktin e interesit. Të dashur qytetarët, ligjet nuk i lejojnë qytetarët dhe zyrtarët të vjedhin. Ata vjedhin duke shkelur më së pari ligjin e konfliktit të interesit. Pra, vjedhin duke favorizuar familjarët më të afërt.
Ju keni dëgjuar gjatë këtyre viteve akuza për Sali Berishën sa Dajti, por nuk keni dëgjuar kurrë një dokument, një fakt se Argita Berisha, Shkëlzen Berisha kanë fituar një tender apo kanë qenë nënkontraktorë në një tender të fituar në sektorin publik. Kurrë!
Të dy kanë deklaruar pasurinë dy vite para se ligji t’ua kërkonte. Sa u bëra kryeministër, ua përcktova si kod, se pavarësisht se ligji nuk ua kërkon, do deklaroni pasurinë njëlloj si unë.
Kurse kryeministri aktual ka një familje. Edhe ai në familje ka një vajzë. Vajza e kryeministrit aktual, me kompaninë e saj, I Riu, fiton çdo javë, çdo muaj tendera. Në thyerje të Kushtetutës. Kushtetuta thotë se deputetit, i cili merr përfitime nga qeverisja vendore apo qendrore, dorëzon mandatin.
Kurse vajza e familjes Rama, thuhet as në ILDKP nuk bën deklarime, kurse ligji e barazon atë me djalin e Ramës.
Pra, të shkojmë më tutje. Çfarë bën Olsi Rama?
Olsi Rama, ortak i Amant Josifit. Amant Josifi është i akuzuar nga drejtësia evropiane si strumbullar i grabitjes së 2.4 milionë eurove me kompaninë e tij Call-Center.
Amant Josifi ishte këtu, kishte urdhër-arresti për të, e përcollën në Dubai dhe paratë e Dubait po investohen tani në Durrës nga klani Rama. SKAP-i i partisë nuk lëshoi një urdhër arresti për Amant Josifin, sikur krimi të kishte ndodhur në Tanganika dhe jo në Call-Centerat e Tiranës.
Edi Rama nuk e pranon konfliktin e interesit sepse sarajet e tij me 720 metra gjatësi, i ka të ndërtuara në një kohë kur ka deklaruar gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë. E shoqja tha se i ndërtoi me paratë e Kurbanit. Paratë e Kurbanit nuk ekzistojnë në tatime. Rama më vonë tha se e ndërtoi me para emigracioni. Po nga i solle paratë, të zbritën nga qielli? Paratë lëvizin me banka, lëvizin me rregulla, me fatura.
Për të gjitha këto dhe vjedhje të tjera, Edi Rama refuzon komisionet. Çfarë bëjmë ne në parlament? Ne bëhemi stoli e tij.
Kemi depozituar 31 ligje, midis të tjerave edhe ligjin për heqjen e parashkrimit për kryeministrat. Pra heqjen e parashkrimit për ish-kryeministrat, për Sali Berishën.
Edhe ai nuk vjen, mbahet në sirtarin e Lindës. Atëherë mund të pyes unë, pse jemi në parlament?
Deputetët bënë një mbledhje të gjatë dhe refektuan se kemi dy alternativa, ose të ikim, ose të qëndrojmë aty në një qendresë in-ekstremis derisa të kthehen të drejtat tona të plota.
Për këtë arsye e filliam në parlament, por ju garantoj se protesta ka si begraund absolut që shqiptarët të votojnë të lirë.
Çdo shqiptar, që do opozitë, që do rotacionin, që beson se pluralizmi politik është motor i zhvillimit të një shoqërie, duhet të angazhohet në këtë protestë.
Protesta që filloi në parlament, po me të njëjtën forcë do përhapet në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë.