Vazhdon përplasja mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një intervistë për “News24”, kryedemokrati Lulzim Basha, ka zbuluar atë që ai e cilësoi si sekretin për t’i marrë nga duart kryeministrit aktual, Edi Rama, Bashkinë e Tiranës.
Gjatë intervistës, Basha tha se e gjitha kishte të bënte me mospërfshirjen në fushatë të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Pikë së pari dua ta them qartë sepse është një fakt i ditur publikisht që unë jam i pari dhe i vetmi kandidat që ka mundur Edi Ramën në garë të drejtpërdrejtë për bashkinë e Tiranës. Nuk e kam thënë çelësin e fitores deri më sot, por tani është momenti ta them. Ka qenë vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata për Tiranën. Gjatë këtyre viteve ekspertë dhe kompani të specializuara të fushatave elektorale në bazë të studimeve të tyre kanë rekomanduar vazhdimisht moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale me Partinë Demokratike,”-tha Basha.
Por menjëherë pas deklaratës së tij, një reagim ka ardhur nga Erisa Xhixho, deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një status të shkurtër, ajo renditi 3 arsyet e fitores së Bashës, duke vënë theksin tek ndikimi i LSI-së.
“Tre çelësat e fitores të z.Basha në Bashkinë e Tiranës në 2011: 1-23 mijë votat e LSI për ty që kurrë si meritove. 2-1500 votat që Hysni Milloshi ia hoqi Edi Rames si aleat i LSI dhe i regjistruar prej saj. 3-50 votat që t’i mbrojti Arben Ristani si Kryetar i KQZ,”-tha ajo.