Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli në Kuvend, në diskutimet që kanë nisur për Buxhetin e vitit 2022.
Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama nuk ka asnjë plan për qytetarët, pasi do të japë 113 milionë euro koncesione (PPP) dhe 52 milionë euro për zyra të reja luksi për qeveritarët.
Lulzim Basha: ”Buxheti reflekton atë që një qeveri është. Që një qeveri nuk është. Përcakton veprimin ekonomik që prek direkt jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Këtu vendosin se sa dhe si do të shtrydhin nga xhepat tuaj, dhe çfarë do bëjnë me këto para.
Ky nuk ka asnjë plan për ju. Deri tani plani është hapja e thesit për përfituesit e zakonshëm. Qytetarët janë në pamundësi për të shtruar sofrën për veten dhe fëmijët e tyre. Asnjë nuk është parashikuar për ta. Po menduan për ta rrezikojnë që vitin tjetër nuk japin dot ato 113 milionë euro PPP që kanë përcaktuar për njerëzit e tyre. Pesë, gjashtë njerëz maksimumi.
Të nderuar familje në nevojë, ju dhjetëra mijë që ju mbajnë akoma në skemën e ndihmës ekonomike, ose ju dhjetëra mijë që ju kanë flakur padrejtësish, kjo shumë është dhjetëra herë më e lartë se ajo që shpërndahet për ndihmën tuaj.
Ndërkohë që flasin për krizë energjitike, duke refuzuar të flasin për krizë korrupsioni, këta planifikojnë të shpenzojnë 52 milionë euro për zyra, makina dhe shpenzime të tjera lluksi qeveritar. Këto para duhet të ishin në duart e familjeve shqiptare.
Fondet që këta do çojnë me PPP dhe shpenzime luksi për zyrat e tyre, mjaftojnë dhe në fakt teprojnë për të mbështetur planin tonë për uljen e TVSH nga 20% në 6%, për produktet e shportës. Në vend që të mendoj për ju, jua shton me 6 lek akcizën për gazin. Për t’ua bërë këtë dimër edhe më të ftohtë.”