Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mendon se politika shqiptare duhet të pastrohet nga llumi i tranzicionit, dhe se amendamentet kushtetuese të depozituara nga PD-ja në Kuvend, shërben për këtë.
Në një konferencë me gazetarët nga selia blu, Basha tha se ndryshime të tilla kushtetuese duhet patjetër të kenë konsensus, teksa shtoi se është interesi i shqiptarëve, që politika të pastrohet.
Ndër të tjera, kryedemokrati u shpreh se me nismën e tij, janë edhe socialistët e ndershëm.
Lulzim Basha: “Për ta bërë këtë Shqipëria disponon instrumente ligjore, si ligji antimafia, ajo që kërkohet është vullneti politik. Edhe nëse masakra e 25 prillit s’do kishte ndodhur dhe PD do ishte në qeverisje të vendit, nuk kam dyshim se do nuk do i kishim votat për ta miratuar. Ndryshime të tilla kushtetuese duhet patjetër të kenë konsensus. Është interes i shqiptarëve, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit. Kanë futur në politikë, llumin e shoqërisë krimin e organizuar, kanë shkatërruar konkurencën në kurriz të sipërmarrësve të ndershëm.
Pra, kush e sheh si një ekspeditë ndëshkimore ndaj krimit të organizuar e ka gabim. Meritojnë ekspeditë ndëshkimore, por ne jemi opozita e vendit, kemi detyrimin moral e politik që këtë që vlon nga kafet e qendrës së Tiranës deri në Konispol ta përkthejm në vullnet politik për të ndryshuar. Ndaj palës tjetër i lind detyrimi të dalin haptas para shqiptarëve. Duke pranuar këto ndryshime i mbyllin derën tranzicionit. Çdo alibi nxjerr zbuluar qëllimin e llumit të tranzicionit për ta mbajtur Shqipërinë peng.
Ne refuzojmë të jemi pjesë e asaj pjese politike. Ndryshimi ka qenë kryefjale e fushatës tonë, s’ka masakër që na heq nga ndryshimi, do të bëhet me cdo kosto. Cdo politikan që nuk justifikon dot pasurinë e vet, të familjes apo ortakëve duhet të largohet nga politika dhe ky mekanizëm i largon nga politika.
Ky është një zotim i yni, një interes kombëtar. Nuk ka socialist të ndershëm mos më japë të drejtë, kur numëron kacidhet në fund të muajit. Për të mos folur për demokratët me këtë qeveri, po edhe në raport me llumin e qeverisë tonë. Edhe në kemi patur llumin tonë. Llumi i tranzionit janë njerëz që abuzojnë nga besimi i partisë së tyre, dhe janë këto abuzime të pandëshkuara që na kanë sjellë në këtë pikë.”