Tre astronautë kinezë u kthyen në Tokë të shtunën pas 183 ditësh në hapësirë, duke i dhënë fund misionit më të gjatë që Kina kishte ndërmarrë, teksa vazhdon përpjekjet për t’u bërë një fuqi e madhe hapësinore.
Anija kozmike “Shenzhou-13” shihet si misioni i fundit në përpjekjen e Pekinit për të rivalizuar Shtetet e Bashkuara, pasi zbarkoi një pajisje eksplorimi në Mars dhe dërgoi sonda në Hënë, shkruan France24.
Astronautët u kthyen në Tokë pak para orës 10 të mëngjesit me orën e Pekinit, pas gjashtë muajsh në modulin “Tianhe” të stacionit hapësinor të Kinës.
Gjatë kësaj periudhe, ata realizuan 5 nga 11 misionet e nevojshme për të përfunduar stacionin hapësinor deri në fund të vitit.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka shpenzuar miliarda për të pasur një stacion hapësinor me ekuipazh të përhershëm deri në vitin 2022, e cila ka si qëllim dërgimin e njerëzve në Hënë.
Kina po planifikon gjithashtu të ndërtojë një bazë në Hënë dhe Administrata Kombëtare e Hapësirës në vend, tha se synon të nisë një mision me ekuipazh deri në vitin 2029.