Situata në Ukrainë mund të përkeqësohet. Rusia nuk po avancon dot dhe mund të futet në lojë Kina. SHBA u ka thënë aleatëve përmes një kabllogrami se Kina ka shprehur gatishmërinë e saj për t’i ofruar ndihmë ushtarake Rusisë për të mbështetur pushtimin e saj në Ukrainë.
Ky lajm është bërë me dije nga zyrtarët amerikanë, shkruan “Financial Times”. Mesazhet, të cilat u dërguan nga Departamenti Amerikan i Shtetit aleatëve në Evropë dhe Azi, nuk ishin specifike për nivelin ose kohën e ndonjë ndihme që mund të ofrohet.
“Financial Times” raportoi të dielën se Rusia kishte bërë kërkesën për ndihmë në një moment pas fillimit të konfliktit tashmë tre javor. Kërkesa ruse dhe përgjigja kineze kanë rënë kambanat e alarmit në Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarët amerikanë besojnë se Kina po përpiqet të ndihmojë Rusinë, ndërsa zyrtarët e saj të lartë bëjnë thirrje publikisht për një zgjidhje diplomatike të luftës.
Ambasada kineze në SHBA tha të dielën se nuk kishte njohuri për ndonjë kërkesë ruse apo përgjigje pozitive kineze ndaj Moskës. Rusia të hënën gjithashtu mohoi t’i bënte ndonjë kërkesë Kinës.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane nuk pranoi të thoshte nëse Kina kishte ofruar mbështetje ushtarake pas kërkesës së Rusisë, por tha se Pentagoni po e vëzhgonte situatën “shumë, shumë nga afër”.
“Nëse Kina zgjedh të mbështesë materialisht Rusinë në këtë luftë, ka të ngjarë të ketë pasoja për Kinën”, tha zyrtari i mbrojtjes. Zyrtari shtoi: “Ne e kemi parë Kinën të japë miratim të heshtur për atë që po bën Rusia duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve, duke fajësuar perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara për ndihmën që po i japim Ukrainës [dhe] duke pretenduar se ata donin të shihnin një rezultat paqësor, por në thelb duke mos bërë asgjë për ta arritur atë.”
Lajmi është publikuar edhe nga “CNN”. Rrjeti amerikan gjithashtu flet për një kabllogram diplomatik, ku SHBA informon aleatët në Europë dhe Azi se Kina po bëhet gati të ndihmojë Rusinë të pushtojë Ukrainën. Një zyrtar amerikan tha gjithashtu se Kina do e mohojë një gjë të tillë. Realisht ashtu ndodhi. Kina e mohoi, ndërsa gjatë një takimi që pati mes funksionar֝ve të dy vendeve SHBA e paralajmëroi se do ketë pasoja.