Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka folur në lidhje me situatën ekoronavirusit në vendin tonë. E ftuar në rubrikën ”Opinion” në ”News24”, Rakacolli bëri një apel për qytetarët, që të vaksinohen.
Sipas saj, nga virusi Covid-19 po infektohen dhe po humbin jetën edhe moshat e reja, ndaj të gjithë duhet të bëjnë vaksinën pa asnjë dyshim.
Mira Rakacolli: “Situata e infeksionit paraqitet deri diku e stabilizuar, me një tendencë të lehtë në rënie. Ne ja dedikojmë këtë vaksinimit. Vazhdojmë të kemi të shtruar nëpër spitale, si dhe jetë të humbura. Ajo që dua unë të ritheksoj është se shumica e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar, po ashtu edhe ajo e jetëve të humbura. Prandaj ju bëj apel qytetarëve që të vaksinohen, sepse në dimër infeksionet respiratorë shtohen, ndaj ka tendencë rritjeje. Nuk ka më asnjë dyshim, që vaksina të mbron mjaft, por s’duhen harruar edhe masat e tjera, si mbajtja e maskës, që fatkeqësisht është e neglizhuar. Ka prekje të moshave të reja dhe humbje jete, prandaj duhet me patjetër që është moshat e reja ta ndjejnë shumë afër rrezikun e virusit. Janë mbi 1 milion e 800 doza vaksine të bëra. Jemi te rreth 44% e vaksinimit në kategorinë mbi 18 vjeç”.
Në lidhje me ndryshimin e orës policore, Rakacolli u shpreh se kjo varet nga shifrat e pandemisë.
Mira Rakacolli: ”Kjo varet në varësi të shifrave, se si do t’i kemi ato. Deri në diskutimet që kemi bërë, të javës së kaluar, shifrat nuk na sugjerojnë një gjë të tillë, por jemi në varësi të shifrave.”