Sunday, June 29, 2025

Greqia: Maqedonia e Veriut të zbatojë Marrëveshjen e Prespës

Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias dha mesazhin se Greqia do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj,, duke pasur si busull respektin e plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht të ligjit të detit.

Athina gjithashtu i ka kushtuar vëmendje të plotë zhvillimeve politike të fundit në Maqedoninë e Veriut. Ministri u shpreh se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut, dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është në BE.

“Perspektiva evropiane dhe vetë procesi i anëtarësimit është ajo që do të sigurojë stabilitetin e vendeve dhe popujve të rajonit, zhvillimin ekonomik, prosperitetin, reformat demokratike. Kjo është e vetmja mënyrë që rajoni të ecë përpara”, shpjegon Nikos Dendias.

Në të njëjtën kohë, ai rithekson se ka edhe forca të tjera aktive në rajon, përveç atyre evropiane, të cilat synojnë të largojnë Ballkanin Perëndimor nga Europa, duke ofruar gjoja ndihma zhvillimore, bashkëpunim ushtarak, madje edhe bashkëpunim në fushën e arsimit, përmes organizatave që kanë më shumë lidhje me Vëllazërinë Myslimane dhe pak ose aspak lidhje me një korniza moderne arsimore evropiane. Fuqitë që thirren në disa tradita të përbashkëta historike, kulturore dhe fetare me vendet dhe popujt e rajonit, por në thelb promovojnë ideologji ekstreme dhe një axhendë destabilizuese, sipas tij. Në këtë kontekst, nga njëra anë, i bën thirrje të gjithë Ballkanit Perëndimor të qëndrojë i përkushtuar ndaj kursit të tij evropian dhe t’u kthejë shpinën forcave të izolimit dhe destabilizimit dhe nga ana tjetër BE-së që të fokusohet te procesi i zgjerimit.

I pyetur për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, Nikos Dendias rithekson nevojën e zbatimit të plotë, të qëndrueshëm dhe me mirëbesim të Marrëveshjes së Prespës dhe vëren se qeveritë vijnë e shkojnë, shtetet dhe angazhimet mbeten. Duke iu referuar kontakteve të tij me zyrtarë të Maqedonisë së Veriut gjatë dy muajve të fundit, ai theksoi se dy çështjet kryesore që i janë ngritur janë perspektiva e saj evropiane dhe mënyra se si Greqia mund të ndihmojë në këtë drejtim, si dhe forcimi i lidhjeve dypalëshe në të gjithë sektorët, si ekonomia, investimet, energjia, transporti dhe mbrojtja.

“Monitorimi i hapësirës ajrore të vendit tonë fqinj nga Forca jonë Ajrore është tashmë një dëshmi e prekshme e përfitimit të ndërsjellë që mund të ekzistojë”, thotë ai.

Dendias po ashtu u theksoi atyre se Greqia në kushte të caktuara mund të bëhet miku më i mirë i Maqedonisë së Veriut në të ardhmen dhe se pret vazhdimin e bashkëpunimit në të gjithë sektorët me çdo qeveri që del nga proceset e brendshme. Këto deklarata të ministrit grek vijnë pak ditë pasi opozita maqedonase u shpreh se do të rikthente emrin ‘Maqedoni’.

Më tej ai foli edhe në lidhje me Turqinë, duke thënë se Ankaraja duhet të provojë në praktikë se dëshiron një dialog të sinqertë dhe konstruktiv. Dendias vuri në dukje se për momentin, për fat të keq dhe për fajin e Ankarasë, ata kanë një dialog të dobët. Ai bëri të qartë se Greqia nuk do të bjerë kurrë dakord me kërkesat irracionale neo-osmane të Turqisë.

Burimi: Athina984

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë