Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të shqyrtojë në seancë vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, edhe pse ende nuk ka një datë konkrete.
Çështja për shkarkimin e kreut të shtetit ishte parashikuar që të zhvillohej në shtator, por kishte një përplasje me lejen vjetore të gjyqtarëve, e cila u mor në 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021. Po ashtu në njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, bëhet me dije se seanca do të jetë publike.
NJOFTIMI I PLOTË:
Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim vendimi i Kuvendit të Shqipërisë nr.55/2021, datë 09.06.2021 “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”. Ky vendim i është dërguar Gjykatës Kushtetuese me shkresën nr.1368 prot., datë 14.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë dhe është regjistruar në këtë Gjykatë në datën 14.06.2021, me numër të Regjistrit Themeltar 6 (K) 2021.
Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, në bazë të nenit 18, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, bazuar në nenin 62 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues.
Si erdhi vendimi për shkarkimin e Metës?
Më 9 qershot të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë votoi me 104 vota pro shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Para zgjedhjeve parlamentare, presidenti i Republikës Ilir Meta u përfshi në një sërë replikash të ashpra dhe përplasje me Partinë Socialiste ku në fokus ishin zgjedhjet e 25 prillit. Presidenti u zotua se do të mundësonte votën e lirë të shqiptarëve që sipas tij do ti bashkoheshin në një referundum popullor. Deklaratat e Metës gjatë fushatës arritën majën e tensionit kur kreu i shtetit deklaroi se “do t’ju presim dorën atij që prek votën”, apo “bëni gati sfurqet dhe kosat”.
Këto deklarata përfshirë edhe përplasjen me ambasadoren Yuri Kim janë “dënimi” që sipas socialistëve Ilir Meta mori më 25 prill nga shqiptarët, duke i dhënë mandatin e tretë PS-së dhe për këtë Ilir Meta duhet të shkarkohet. Me firmën e 49 deputetëve socialist u ngrit një komision hetimor dhe u kërkua shkarkimi i Metës. Gjatë ditëve të mbledhjeve, deputetët përbërës të Komisionit kanë ‘skanuar’ të gjitha deklaratat e Metës, përfshirë edhe termin ‘anëtarët’ e ‘Ndrangheta-s’ që ka përdorur ai për të krahasuar deputetët. Në fund u vendos se deklaratat e tij gjatë fushatës zgjedhore, por jo vetëm, nxitën dhunë dhe provokuan vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ngjarje en dpdhur katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.