Sunday, June 29, 2025

Derbi 162 i takon Tiranës, ndeshjen e vendos një penallti me VAR

Përfundon supersfida e javës së 6 në Kategorinë Superiore. Derbi numër 162 në histori mes Tiranës dhe Partizanit është mbyllur me fitoren e bardhebluve me rezultatin minimal 1-0.

Në fraksionin e parë të lojës, bardheblutë janë shfaqur disi më kërcënues në portën kundërshtare ndërsa momenti vendimtar erdhi në fundin e pjesës së parë ku gjetën golin me anë të Limajt.

Në minutat e para, Partizani u mundua të ndërtonte lojën e tij me sulme nga krahët, sidomos me shpërthimet e Markut në të djathtë.

Rastet e para për shënim i pati Tirana, të cilët rrezikuan portën e Partizanit në minutën e 15. Bardheblutë patën mundësinë me tre gjuajtje radhazi drejt portës. Por topi u devijua dhe nuk përfundoi në rrjetë edhe pse Ismajlgeci e Seferi provuan të gjuanin në portë nga një distancë e afërt.

3 minuta më vonë, Tirana ishte sërish pranë golit, Seferi provoi, por Belica e largoi topin, ndërsa më pas tentoi Ismajlgeci, por Saliou largoi topin mbi vijën fatale.

Në minutën e 24, gjatë një goditje nga këndi, bardheblutë ekzekutuan me skemë duke çuar topin te Toshevski, por tentativa nga jashtë zonës nuk gjeti kuadratin.

Partizani provoi të kundërpërgjigjej në minutën e 33. Mala fitoi një goditje dënimi në kufi të zonës kundërshtare, provoi vetë mesfushori, por nuk gjeti kuadratin.

Në minutën e 37, porta e Tiranës u vu në rrezik. Bekaj gaboi në daljen e tij dhe Filipoviç me kokë devijoi sferën duke e drejtuar në portë. Mbrojtësit bardheblu devijuan para kalimit të vijës fatale.

Në minutën e 44, gjyqtari Eldorian Hamitaj u thirr nga VAR-i të shihte pamjet për një aksion të të kuqve dhe një përplasje mes futbollistëve. Pas dy minutash shqyrtim, ai u kthye dhe vazhdoi lojën.

Në minutën e 72, Ilir Daja nuk priti më dhe kreu 4 zëvendësime njëherazi. Cara, Maguet, Damçevski dhe Gligorov u futën në fushë. Ata zënë vendin e Saliu, Filipoviç, Muratajt dhe Markut, por që nuk sollën asgjë për ekipin e Partizanit.

Në minutën e 82, Damçevski provoi gjuajtjen nga distanca, por sfera përfundoi në duart e Bekajt. 1 minutë më vonë, Mala gjuajti drejt portës në pozicion ballor, nuk gjeti katërkëndorin e Bekajt, duke dëshpëruar tifozët e kuq.

Në minutën e fundit të takimit, Tirana mbeti me 10 lojtarë.

Me këtë fitore, Tirana ruan kryesimin me 14 pikë, ndërsa Partizani “noton në ujëra të ftohta”, duke mos arritur akoma të marrin 3 pikët e para. Të kuqtë renditet në vendin e 8 me 4 pikë.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë