Friday, November 22, 2024

Vuçiç pret që autoritetet e Kosovës të provojnë “ta marrin” nënstacionin e Valaçit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 5 nëntor se pret që autoritetet e Kosovës së shpejti do të provojnë të marrin në kontroll nënstacionin elektrik të Valaçit ne veri të Kosovës, “nën pretekstin e faturimit të energjisë” në veriun e Kosovës.

Në katër komuna në veri të Kosovës, serbët përbëjnë shumicën e popullatës, ndërsa qytetarët e këtyre komunave nuk kanë paguar për energji elektrike që nga viti 1999.

Vuçiq ka thënë se pret që kjo do të bëhet pas 6 nëntorit.

“Unë kam thënë se është e mundshme që kjo do të bëhet nga 6 nëntori, për shkak të qëndrimit karshi operatorëve atje, duke e arsyetuar me faturimin e energjisë në veri. Por, ata do të provojnë ta përdorin atë (faturimin, v.j.) dikur, jam pothuajse i sigurt, për qëllime politike, që nuk kanë të bëjnë asgjë me energjinë”, ka thënë presidenti i Serbisë më 5 nëntor, në Pozharevc.

Vuçiq ka shtuar se Prishtina do ta zgjedhë momentin kur do ta bëjë këtë, por ai e ka lutur atë që të mos e bëjë këtë.

Zyra për Kosovën në Serbi: BE-ja është gjithashtu e njoftuar

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar më 5 nëntor se drejtori i saj, Petar Petkoviq, ka biseduar me ambasadorin gjerman, Thomas Schieb, dhe se e ka informuar atë “për problemet në zbatimin e marrëveshjeve për energji të viteve 2013 dhe 2015, dhe për obligimet e Prishtinës përkitazi me regjistrimin e dy kompanive serbe dhe licencimin e tyre për furnizim, shpërndarje dhe shitje të energjisë”.

Petkoviq ka theksuar se për të gjitha problemet në atë proces e ka informuar Bashkimin Evropian, si ndërmjetës në dialog dhe si garantues të zbatimit të marrëveshjes, ka njoftuar kjo zyrë.

“Është e rëndësishme që të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë të kuptojnë seriozitetin e situatës në të cilën aktualisht gjendemi, dhe të kuptojnë që veprimet e njëanshme të Prishtinës mbi këtë çështje mund të rrezikojnë situatën e sigurisë”, ka theksuar Petkoviq.

Qytetarët e komunave në veriun e Kosovës – Mitrovia e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani – që nga viti 1999 nuk paguajnë rrymën dhe ujin.

Vlerësohet se borxhi për rrymën e shpenzuar në këto komuna është 8 milionë euro në vit.

Nga viti 1999 deri në vitin 2017, këtë borxh e kanë paguar qytetarët e Kosovës, nga komunat tjera, duke pasur faturat e tyre më të shtrenjta për 3.5 për qind. Pas ankesave, Gjykata e Apelit ka vendosur të pezullojë këtë praktikë, sepse ka qenë e paligjshme.

Zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje./REL

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë