Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç përsëriti qëndrimet se Serbia nuk do të pajtohet e as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, tha ai, shkruan Euronews Serbia.
Gjatë një interviste në televizionin Happy, Vuçiç tha më 9 mars se këtë qëndrim ua ka shprehur ndërmjetësve ndërkombëtarë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se i dërguari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 13 dhe 14 mars, dhe se ai gjatë dy ditëve, së bashku me emisarin e BE-së do të tentojë të gjejë rrugën përpara drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij që të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.