Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli më 4 shkurt një propozim, sipas të cilit, palestinezët e zhvendosur do të largoheshin nga Rripi i Gazës, duke i hapur rrugën SHBA-së për të marrë në pronësi këtë territor bregdetar dhe për ta zhvilluar ekonomikisht në një vend “fenomenal”, ku kombësi të ndryshme mund të jetojnë në paqe.
Trump tha se kjo do të ndodhte pas zhvendosjes së popullit palestinez në vende të tjera, për t’i larguar nga ajo që ai e quajti “gropë ferri” me ndërtesa të shkatërruara, pas më shumë se një viti luftë mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.
Trump e bëri këtë propozim gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se një hap kaq drastik është i nevojshëm, sepse idetë e tjera për t’i dhënë fund konfliktit dekadësh mes palestinezëve dhe izraelitëve nuk kanë funksionuar.
“Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë. Do ta marrim atë pjesë, do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të ndihet krenare”, theksoi ai.