Prokuroria e Posaçme ka marrë tri javë kohë, nga momenti që ish-kryeministri Sali Berisha theu vendimin e gjykatës ndaj tij, për të vlerësuar nëse do të kërkonte ashpërsim të masës.
Sipas vendimit të GJKKO të dhënë në mungesë ndaj Berishës më 20 tetor, i verifikuar nga gjykata më 26 tetor, ish-kryeministri detyrohej të paraqitej në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Të hënën e parë të muajit pasardhës, më 6 nëntor, ish-kryeministri nuk u paraqit në SPAK. Njëlloj ish-kryeministri refuzoi të paraqitej edhe të hënën e tretë, më 20 nëntor. Pas këtij momenti, prokurorët e posaçëm nisën vlerësimin e situatës nëse duhet të kërkonin ashpërsim të masës zë sigurisë.
Ndërkohë, ndonëse një ditë më vonë, Apeli i Posaçëm e la të pandryshuar masën ndaj ish-kryeministrit, Berisha vijoi të mos e respektojë atë. Ai nuk u paraqit në SPAK as të hënën e parë të dhjetorit, duke regjistruar tri raste të injorimit të vendimit gjyqësor ndaj tij.
Këtë të martë, Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkoi “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha, nën akuzë për “korrupsion pasiv” për dosjen e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani. Ditën e sotme, SPAK i ka dërguar një kërkesë Kuvendit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “Detyrim paraqitje” në “Arrest shtëpie” ose “Arrest në burg”.