Policia ka arrestuar dy persona të cilët ndihmuan Klodian Keqin në tentativën e tij për t’u arratisur drejt Greqisë, pasi vrau 55-vjeçarin Luan Hushi.
Shtetasit L. K., 25 vjeç dhe L. Gj., 30 vjeç, u kapën në flagrancë, teksa po shoqëronin dhe ndihmonin autorin për t’u larguar nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek.
Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Policinë Kufitare Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 10 gushtit, në fshatin Zgërdhesh të Krujës, në një zonë të pyllëzuar ku 40-vjeçari Keqi qëlloi me armë zjarri kallashnikov bashëfshatarin e tij, Luan Hushin.
Shkak i vrasjes dyshohet se u bë një konflik banal për prerjen e druve në pyll.
Megjithëse u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, 55-vjeçari nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.