Shpati Lena dhe Hakim Xhezo janë viktimat e atentatit të ndodhur paraditen e së enjtes në Panaja të Vlorës.
Ata janë emra të njohur për policinë, pasi janë përfshirë më parë në aktivitetet kriminale.
Lena ishte arrestuar në mars të këtij viti me dy persona të tjerë Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë.
Ata ishin të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre.
Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa vendosi masën “detyrim paraqitje” për Shpati Lenën. Në këtë ngjarje, është përfshirë edhe Hakim Xhezo i cili gjithashtu u la i lirë.

Vrasja ndodhi rreth orës 09:30 në autostradën Fier-Vlorë, teksa në drejtim të automjetit të tyre u qëllua me breshëri plumbash, nga një tjetër automjet në lëvizje.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe hetues nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.
Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se paraprakisht ka dyshime se kemi të bëjmë me vrasje me pagesë.