Thursday, November 21, 2024

Skandali: Babë e bir, rivalë në tenderin 100 milionë lekë të Veliajt

Skandalet e abuzimeve me prokurimet nuk njohin kufi. Rasti më i fundit është regjistruar në Bashkinë e Tiranës, me një tender me vlerë 100 milionë lekë. Babë e bir kanë qenë konkurentët e vetëm në garën e hapur nga Bashkia e Tiranës, por në një kohë që tenderi duhej anuluar, vartësit e Veliajt kanë vijuar me procedurat, duke përzgjedhur një prej dy kompanive të së njëjtës familje.

Nga SYRI TV

Dy biznesmenë, babë e bir, kanë konkuruar kundër njëri-tjetrit në tenderin mbi 100 milionë lekë të vjetra të zhvilluar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës për tabela sinjalistike për Parkimet e Rezidentëve.

Në fund, tenderi është fituar nga kompania e të riut Stefan Çaçi, “SI-SI.AL”, e cila kishte përballë kompaninë “RSM” në pronësi të babait të tij, Nikolla Çaçi. E gjithë procedura është në shkelje flagrante të ligjit “Për Prokurimit Publik”.

Ky ligj, në nenin 19 të tij, parashikon se përbëjnë konflikt interesi rastet kur për të njëjtën procedurë konkurojnë mes tyre kompani në pronësi të personave familjarë me njëri-tjetrin.

Në këto situata, Autoriteti Kontraktor duhet të refuzojë ofertat, para se të zhvillohet tenderi. Por, në rastin konkret, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka zhvilluar procedurën dhe në 24 Janar 2022 ka botuar rezultatet në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Agjencia e Parqeve shpalli në fillim të dhjetorit 2021 tenderin për “Plotësim me Sinjalistikë i Blloqeve të Parkimit të Rezidentit”, me fond limit 106 milionë lekë të vjetra pa TVSH.

Në procedurë morën pjesë bashkimi i operatorëve “Eral Construksion” dhe “SI-SI AL” nga njëra anë, e cila paraqiti ofertën 91 milionë lekë të vjetra pa TVSH.

Përballë tyre ishte shoqëria ‘RSM” shpk, e cila paraqiti ofertën me vlerë 99 milionë lekë të vjetra.

Në përfundim, fitues u shpall konkurrenti me ofertën më të ulët. Procedura do të ishte normale, në rast se konkurentët ishin babë e bir.

Ligji për “Prokurimet Publike” parashikon se autoritetet kontraktore, pasi vihen në dijeni për lidhjet familjare mes konkurentëve rivalë, i njofton ata për përjashtimin nga procedura.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit nuk e ka ndërmarrë një masë të tillë, megjithëse i njeh shumë mirë të dy kompanitë e përfshira në këtë procedurë.

Shoqëritë “SI-SI AL” dhe “RSM” kanë qenë pjesëmarrëse frekuente në tenderët e zhvilluar nga kjo strukturë, por edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, të dyja struktura në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Kompania “RSM” është krijuar në vitin 2013 dhe zotërohet nga Nikolla Çaçi.

Ndërsa kompania “SISI AL” është krijuar në vitin 2007 dhe është në pronësi të djalit të tij, Stefan Çaçi, i cili ishte vetëm 18 vjeç kur u regjistrua në listën e biznesmenëve në Shqipëri.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë