Dy shtetas italianë janë arrestuar në qytetin e Elbasanit, pasi kishin kontrabanduar dhe shitur nëpërmjet mashtrimit, ar të rremë me vlerë 200 000 euro.
Fortunato Maddaloni 67 vjeç banues në Napoli dhe Riccardi Gennario 76 vjeç banues në Milano, u vunë në pranga në flagrancë në një argjendari, teksa po tentonin që të shisnin përsëri ar të rremë.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dy italianët për të cilët “Euronews Albania” ka siguruar fotot, kanë shitur ar në formë kokrrizash në Tiranë dhe Podgoricë, gjatë periudhës qershor-gusht 2022.
Materiali që këta shtetas kanë shitur ka rezultuar më pas, i përzier me metale të tjera.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kilogramë ar i dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celulare, 1500 euro dhe 150 franga zviceriane.
Operacioni policor i koduar “Fake Gold” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan.