Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, ka thënë se nuk mund t’iu dërgojë të holla familjarëve “të uritur” në rajonin Tigray në Etiopi.
Ky rajon është shkatërruar si pasojë e luftës.
“Kam shumë familjarë atje. Dua t’iu dërgoj para, por nuk mundem”, ka thënë ai në një konferencë për media.
“Nuk e di se kush është i gjallë e kush i vdekur”, ka vazhduar ai.
Prej kur ka nisur lufta më 2020, ky rajon është shkëputur nga pjesa tjetër e botës, pa qasje në telefon apo internet.
Qeveria e Etiopisë është akuzuar për vënie të bllokadës në këtë rajon, e cila ka penguar furnizimet.