Kryeministri Edi Rama deklaroi se përveç bonusit të fundvitit, për pensionistët do të kenë edhe një tjetër bonus në pranverë.
Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama u shpreh se do të krijohet në ditët e para të dhjetorit, pranë Bankës së Shqipërisë, një fond për bonusin e dytë.
Ky bonus, sipas Ramës, do të shpërndahet në pranverën e çdo viti.
“Ky nuk është thjesht një hap i rëndësishëm në aspektin buxhetor, i cili do të thotë se ne po marrin përsipër një trefishim dhe dyfishim të bonusit të fundvitit, që do të duhet të mbetet minimalisht po kaq edhe në vitet e ardhshme. Ky është dhe një hap kuptimplotë në drejtimin e qëllimit tonë të shpallur për ta mbyllur rrethin e qytetarëve përfitues nga rritja domethënëse dhe e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë, duke filluar më në fund t’i përfshijmë edhe pensionistët në rishpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike.
Nga ana tjetër ky nuk është i vetmi hap që ne do të hedhim menjëherë për të plotësuar tiparin gjithëpërfshirës të rritjes ekonomike sepse paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë. Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës. Dhe vetëm me këto dy bonuse vjetore, plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve, në raport me rritjen e çmimeve, pensionistët tanë do të mund ta prekin menjëherë kuptimin e shifrave të rritjes shembullore ekonomike të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade”, theksoi ai.