Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj thotë se Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet në tre raundet e para, ku së paku duhen 84 vota.
Në një deklaratë për mediat pas mbarimit të seancës plenare, Alibeaj u shpreh se vetëm në këtë mënyrë, procesi do të jetë konsensual, pasi në 3 raundet e para, mazhoranca ka të nevojshme edhe votat e opozitës.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Kemi bërë një deklaratë me një logjikë të thjeshtë. Nëse do duam të zgjedhim presidentin e shqiptarëve, do duhet të jetë një proces konsensual. Që të jetë një proces i besueshëm, presidenti duhet të zgjidhet në raundet e para, më së paku me 84 vota”, tha Alibeaj.
Këtë të hënë ka dështuar raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në seancën plenare nuk u paraqit asnjë kandidaturë, ndaj dhe nuk pati votim.
Për të zgjedhur presidentin e ri në tre raundet e para duhen së paku 84 vota, të cilat mazhoranca e Partisë Socialiste nuk i ka.
Pas raundit të tretë, mazhoranca mund ta zgjedhë vetë Kreun e ri të Shtetit, pasi i ka 71 votat e nevojshme.