Pas më shumë se dy orësh, ka përfunduar protesta kombëtare e opozitës para Kryeministrisë, e thirrur nga Partia Demokratike.
Në protestë pati 20 folës, ndër to kryedemokrati, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Të dy liderët, hodhën akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për shpopullimin e vendit, situatën ekonomike dhe korrupsionin.
Berisha bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama për largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Ne mblidhemi sot këtu në një kohë kur, njëlloj si 32 vjet më parë, bota na sheh si njerëzit e gomoneve. Ndaj dhe le të ndalemi për një moment, pse ne sot, pas 32 vjetësh, përsëri u bëmë njerëzit e gomoneve. Mos vallë e ka fajin Shqipëria? Jo, kurrën e kurrës.
Nuk ka vend më të pasur se ky vend, por shqiptarët sot janë popull i gomoneve, sepse dikush dhe ky dikush është Edi Rama, iu ka grabitur votën, iu ka plaçkitur votën, ka shndërrua liritë e tyre në iluzion, në votë fiktive, vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet”, theksoi kryedemokrati.
Ai u bëri ndërkombëtarëve që të mos mbështesin regjimin e Ramës.
“Sot, ju bëj thirrje: mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve. Çdo mbështetje për të, është dështim për shqiptarët. Sikundër nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve. Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do jenë të pandara”, ishte thirrja e tij.
Ndërsa, Meta e ka cilësuar një tradhtar kryeministrin Rama, i cili sipas tij, punon kundër interesave të vendit.
“Sot tradhtori e ndjek këtë miting të fitores, të triumfit, të demokracisë, nga charteri luksoz dhe i paligjshëm. Shumë shpejt do të jetë përpara drejtësisë sipas ligjeve të tij, sipas firmave të hedhur vetë nga ai. Jeni ju që e keni të drejtën t’i këroni llogari qeverisë. Jeni ju që keni të drejtën ta shporrni qeverinë, kur drejtuesit e saj grabisin, vjedhin dhe shesin artdheun, siç bën Rama dhe Rilindja”, ishte fjala e Metës, ndër të tjera.
Protesta, pas përfundimit të saj, u shoqërua me incidente. Gjithçka filloi pasi Berisha mbaroi fjalën e tij dhe protestuesve iu bë thirrje për të ndezur qirinj në shkallët e Kryeministrisë, në nder të personave që kanë humbur jetën në përplasjet me policinë.
Protestuesit çanë kordonin e policisë dhe hynë në oborrin e Kryeministrisë, ku hodhën bojë në dyert dhe dritaret e godinës.
Për mbarëvajtjen e protestës, ishin në gatishmëri rreth 1000 efektivë policie, teksa disa akse rrugore u mbyllën që prej orës 15:00.
Shërbimet e rendit patën peshën kryesore, por kishte edhe një mobilizim të Forcave Speciale. Në protestë kishte një numër shumë të lartë qytetarësh, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës së opozitës.