Unioni i Transportit Urban kërkon që çmimi i biletës për urbanët në Tiranë të rritet në 80 lekë.
Kjo kërkesë e tyre vjen si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, për të cilën, operatorët thonë se ndikon drejtpërdrejt në shërbimin që ata ofrojnë.
“Operatorët nuk janë në gjendje të operojnë me 100% të kapacitet. Secili operator ka vendosur së paku me atë fuqi që ka me 20, 30, 70% të flotës së mjeteve të lëvizë, por siç e shohim sot, stacionet janë plot me njerëz që edhe nafta dje na erdhi njoftimi që në pikat e furnizimit do jetë diku tek 220 lekë për litër me shumicë. Kjo ishte e frikshme sepse asnjë nga operatorët nuk ka kapacitet financiar, që të vazhdojë operimin me kapacitet të plotë dhe ndërkohë t’u shërbejë qytetarëve. Nëse vazhdojmë kështu kapitullimi i transportit do të jetë për 3-4 ditë maksimalisht. Siç e pamë edhe operatori më i madh i transportit publik i cili është me subvencion nga shteti, hekurudha shqiptare ndërpreu shërbimin për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Ne jemi të varur drejtpërdrejtë nga ky çmim i rritjes së naftës dhe duke patur një heshtje totale nga instancat përgjegjëse ne konkretizuam pikat se çfarë na duhet që të shpëtojmë nga kjo situatë e vështirë ekonomike. Ajo që u vendos të kërkohet më parë dhe më emergjente, më e rëndësishmja është rritja e çmimit të biletës. Kjo se për shkak do të jepte mundësi që të kishim transport publik në Republikën e Shqipërisë. Duke parë se çdo çmim tjetër i shportës është rritur… Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë, këtë rritje të çmimit të pakufishëm të naftës është llogaritur nga ekspertët tanë diku te 80 lekë për biletë një përdorimëshe. Në këtë formë do t’u japim një mundësi transportit që t’u shërbejmë qytetarëve. Pas studimit që ishte bërë kur ka qenë kryetar bashkie Rama dhe Basha çmimi i biletës ishte përllogaritur në 50 lekë për biletë. Nga ajo kohë deri sot, çmimi i naftës është dyfishuar”, u shpreh një operator transporti.