Zgjdhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë pa kryetar me shumë gjasa do të mbahen në 6 Mars. Ndonëse nuk ka një datë të përcaktuar nga kreu i shtetit, Taulant Balla i thirrur në Presidencë nga Ilir Meta në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të socialistëve tha se Presidenti i kishte propozuar 6 Marsin për mbajtjen e tyre.
“Zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar në secilën prej bashkive brenda afatit 45 ditor. Për ne nuk ka asnjë datë, data është e përcaktuar nga ligji dhe Kushtetuta. Nga ana e Presidentit të Republikës jemi informuar me institucionet për zgjedhjet e pjesshme 6 Mars, duke marrë në konsideratë këto afate”.
Pak minuta më vonë në një sqarim për mediat, kreu i shtetit la të kuptohej se data që ai mbështet mes 27 Shkurtit dhe 6 Marsit ishte kjo e fundit.
“27 Shkurti ose 6 Marsi, dy data janë. Zoti Meta nuk këkron datë por më e rendësishme është për KQZ-në se ajo do merret me zgjedhjet. Mora garancinë nga Balla se është i gatshëm për të hyrë në zgjedhje dhe mirëkuptojnë datën dhe preokupimin e KQZ, për qoftë edhe një ditë më shumë, nuk ka pasur konsultim me partitë, por me përfaqësuesit e shumicës. Kam pasur vetëm një shqetësim mos i bojkotonte shumica”.
Disa herë u mundua të sqaronte median se as ka ndërmend të bëjë konsultime me partitë politike, duke u përpjekur të justifikonte praninë por jo vetëm, edhe rolin e Taulant Ballës në takimin mes tyre.
“Nuk ka patur konsultim me partitë. S’ka arsye për konsultim me partitë politike, po të kishte do i bëja ftesë kryetarit të partisë ose sekretarit të përgjithshëm. Opozita nuk mund të ankohet nëse i jep një ditë më shumë ose një javë kohë për t’u përgatitur në zgjedhje. Z. Taulant është i madhërishëm është përfaqësues edhe i shumicës, por i cakton vendin edhe pakicës”.
Kreu i shtetit sqaroi se në letërkëmbimin me qeverinë është sqaruar edhe çështja e mbajtjes së zgjedhjeve në 6 bashkitë pa kryetar. Zgjedhjet e pjesshme vendore do të zhvillohen në Bashkinë e Shkodrës, atë të Vorës, Lushnjes, Durrësit, Dibrës dhe Rrogozhinës.