Friday, November 22, 2024

Meta: Jam i shqetësuar për situatën në PD

Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për mediat ka komentuar protestën e 8 Janarit në selinë e Partisë Demokratike. Ai u shpreh se 8 Janari nuk është ngjarje e izoluar dhe se është i shqetësuar për situatën në Partinë Demokratike.

“8 Janari nuk është një ngjarje e izoluar, por është një moment tragjik i një procesi politik, degradues që po zhvillohet prej muajsh dhe vitesh, thelbi i të cilit është mungesa e ballafaqimit me votë në mënyrë transparente. Prej muajsh e vitesh të kërcënimit të një institucioni tepër jetik, atë të opozitës dhe votës së lirë. Nuk dua dhe nuk kam synuar të bëhem palë në konfliktin që ka lindur në PD, por jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit të panevojshëm që mund dhe duhet të ketë vetëm një zgjidhje, votën e lirë dhe respektimin e shumicës dhe lejimin e fraksioneve. Dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme akuzat për infiltrimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë alarmante dhe kërkojnë përgjigje të paanshme. Është e papranueshme të pranohet çdo mekanizëm demokratik zgjidhjeje duke nxitur kështu revoltën. Zhvillimet e 8 Janarit sollën edhe ndonjë shembull pozitiv që bën thirrje për reflektim si dorëheqja e rojës së selisë së PD për të mos qenë dëshmitar i dhunës. Uroj që të gjithë të ngrihen në nivelin e përgjegjshmërisë së tij”, tha Meta.

Meta theksoi se është e qartë që thelbi i krizës është mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë.

“Kjo vjen nga mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë dhe ballafaqimit. Kemi parë nga një anë një palë që vetëm shkarkon, pala tjetër nuk përjashton, fton në konkurrim. Kemi parë përpjekje për negociata nga Paloka, pala tjetër thotë jo pse ia dorëzoni atij, punonjësit të protokollit, që unë nuk i di emrin. Pra është e qartë që thelbi i krizës është mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë. Në rastin e PD, kjo çështja e Kongresit është gjëja më e thjeshtë, i kanë automatikisht delegatët”, tha Meta.

I prerë ishte dhe kur u pyet për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: “0 koment, kanë të drejtën e tyre të shprehen për çdo çështje”.

Presidenti Ilir Meta ka komentuar këtë të premte përplasjen Sali Berisha-Lulzim Basha që bëhet brenda Partisë Demokratike. Kreu i shtetit i ka kujtuar kreut të PD-së përplasjet e tij që ka pasur me ish-Kryeministrin Fatos Nano dhe zgjidhjen që dha duke u dorëhequr.

Meta bëri të qartë se nuk synonte të bëhej palë në situatën brenda PD. Megjithatë, kritikat nuk i kurseu.

“Nuk mendoj se është problem mes Bashës dhe Berishës, kjo është një përpjekje për ta banalizuar problemin, është një problem i shkatërrimit të llogaridhënies edhe brenda PD. Unë kam qenë Kryeministër i Shqipërisë dhe kam qenë shumicë, edhe në KPD, edhe në parlament dhe kam fituar kundër Fatos Nanos dhe unë e dhashë dorëheqjen për të dhënë një zgjidhje politike sepse ishin disa probleme serioze që ishin shkaktuar, jo nga unë, por nga Fatos Nano. Kemi të bëjmë me një krizë legjitimiteti. Është e vërtetë, që është zgjedhur zotëria në krye të PD, kur u bënë në Qershor, është zgjedhur se ka pasur përkrahjen e Berishës, Nokës, Vokshit, etj. Tani papritur për çdo arsye këta njerëz jo vetëm ia heqin këtë përkrahje, por ia venë edhe në pikëpyetje legjitimitetin e tij. Ata mund të jenë të pavlerë, por është detyra e tij që rivendosë legjitimitetin e tij.  Nëse do të shpëtosh partinë tënde dhe do të tregosh që je ndryshe, po ti afroje një javë para Kuvendin! A shkojnë këto pamje? Këmishëzinj? Struktura paramilitare. Kjo është e ardhmja? Nuk është kjo! Absolutisht që nuk është. Absolutisht nuk jam dakord as me parulla që revolucioni një ditë e drejtojmë një ditë na drejton. Ju e dini që kam dobësi për doktorin, por me këtë gjë nuk jam dakord. Po dole në krye të revolucionit do ta drejtosh në çdo sekondë. Se revolucioni bën edhe ndonjë gabim apo jo. Sepse ne e pamë që aty ishin mbledhur njerëzit që në orën 10 e 30 dhe për fat të mirë nuk pati ndonjë incident mes zotit Bejko dhe protestuesve. Edhe ato mund të ishin shmangur, por kur bëhen organizime të tilla duhen bërë nga fillimi deri në fund paqësore. Zotëri ti e di shumë mirë që çdo gjë bëhet për të bërë një fotografi dhune që të harrohet çdo gjë tjetër dhe me këtë fotografi të spekulohet kudo me interes të eliminimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Kjo është një histori e vjetër. U bënë vite në Shqipëri. Tani vetëm se ka ndryshuar vendi ku ndodh ky skenar i përplasjes. Bëhen shembuj disa koka turku, disa cironka dhe vazhdojnë koncesionet pa fund dhe kuptohet që kjo situatë i shërben thellimit të kapjes së shtetit dhe jo shkapjes së saj dhe duhet të nisë nga rivendosja e llogaridhënies brenda PD. Ai që është shumicë pranohet nga të tjerë, ai që është pakicë, nuk i pëlqen që është pakicë shkon e krijon një forcë politike. Dënoj jo vetëm forcën, si një mjet për të marrë një godinë, por edhe forcën si një mjet për të mbajtur një godinë”, tha Meta.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë