Friday, November 22, 2024

Merr fund kaosi/ Partia Demokratike rikthehet tek i zoti, Berishës i kthehet vula e partisë

Gjykata e Apelit ka vendosur të martën që logoja dhe vula e Partisë Demokratike (PD) t’i përkasin grupimit më të madh brenda kësaj partie, që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi e rrëzoi ankesën e grupit tjetër të udhëhequr nga Lulzim Basha.

Ky vendim i ka dhënë fund përplasjes mes grupimeve të Berishës dhe të Bashës brenda PD-së për atë se kush ka të drejtë ta përfaqësojë zyrtarisht partinë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Tre anëtarët e trupës gjyqësore kanë votuar unanimisht për ta rrëzuar ankesën e grupit të Bashës kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila më 2022 ia dha drejtimin e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe legjitimoi strukturat e zgjedhura prej tij.

Situata e paqartë dhe përplasjet brenda PD filluan pas shtatorit të vitit 2021, kur Lulzim Basha, si kryetar i PD-së, përjashtoi nga grupi parlamentar Sali Berishën, pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën “persona të padëshirueshëm” ish-kryeministrin në maj të atij viti.

Prej atëherë, Berisha mblodhi deputetët, drejtuesit e partisë në qarqe si dhe anëtarët e PD dhe zgjodhi struktura paralele në këtë parti, krahas atyre që ekzistonin e që ishin zgjedhur ndërsa partia drejtohej nga Basha.

Në janar të vitit 2022 pati përplasje të dhunshme mes mbështetësve të dy grupimeve, për shkak të konfliktit se cili prej tyre do të mbante selinë e PD-së, si dhe logon dhe vulën e saj. Në selinë e PD-së për disa orë pati konfrontime fizike dhe u desh ndërhyrja e policisë. Mbështetësit e Bashës u tërhoqën për të mos lejuar përsëritjen e skenave të tilla dhe selia e PD u mor nga Berisha dhe mbështetës të tij.

Më 21 mars të vitit 2022, menjëherë pas humbjes që PD pësoi në zgjedhjet e pjesshme vendore, Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i partisë dhe vendin e tij e zuri Enkelejd Alibeaj.

Më 25 mars, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij; më i rëndësishmi ishte ai për drejtimin e partisë nga ish-kryeministri.

Ky vendim u apelua nga Enkelejd Alibeaj, në atë kohë ushtrues detyre e Partisë Demokratike. Këtë të marte, Apeli ia rrëzoi ankesën asaj dhe i dha drejtë Berishës ta mbajë logon dhe vulën e partisë.

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

LAJME TE TJERA

Më SHUMë