Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mund ta thellojë draft-vizionin e paraqitur nga ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por së pari, sipas tij, duhet të ketë pajtueshmëri mes palëve.
Gjatë rundit të dialogut me Serbinë më 2 maj në Bruksel, Kurti kishte paraqitur një draft-vizion lidhur me çështjen e rregullimit të komunitetit serb, shkruan REL.
Pavarësisht se në këtë draft-vizion nuk përmendet Asociacioni, ai thirret në nenin 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel. Më pas, palët më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e marrëveshjes.
Ky nen i marrëveshjes kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.
“Unë këtë [draft-vizionin për Asociacionin] mund të thellojë, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën se unë i kam thënë në parim, kur të pajtohemi në parim atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, tha Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës më 8 qershor.