Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, që të marrin pjesë në votimet e 21 prillit, kur do të vendoset nëse qytetarët duan të largojnë ose jo katër kryetarët shqiptarë.
Gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Klinë më 19 prill, Kurti tha se kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’iu merret mandati ndryshe, përpos përmes një procesi demokratik.
“Këta kryetarë mund të dalin nga zyrat, por jo me banda fashiste, që dhunojnë KFOR-in, gazetarët dhe Policinë e Kosovës. Me zgjedhje hyhet në zyre. Nuk hyhet në zyre me as me bomba, as me granata dhe as me armë të tjera, me të cilat janë sulmuar personeli i sigurisë dhe gazetarët në komunat veriore”, tha Kurti.
“Njëzet e një prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët në veri, pa dallim etnie, moshe e gjinie që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ua ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin, ata që mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë, apo mendojnë se ka njerëz më të mirë që një orë e më parë duhet të jenë në ato zyra. Por, gjithçka duhet me proces demokratik ligjor, e jo me bandat e dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Ashtu, nuk mund të hysh në zyra”, shtoi ai.