Kreu i Strukturës së Posaçme (SPAK), Arben Kraja deklaroi se institucioni që ai drejton, po heton dy çështje, atë të Gërdecit dhe privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Për “RTSH”, Kraja u shpreh se nuk mund të japë të dhëna të hollësishme në lidhje me hetimet që po kryhen.
“Të mos i marrim të personalizuara. Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish- kryeministri apo ish- presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, u shpreh ai.
Pyetur nëse këto çështje kanë lidhur me deklaratën e bërë nga DASH, Kraja shtoi se ato janë të qeverisë së SHBA, ndërsa SPAK heton çështjet penale në Shqipëri.
“Ne nuk merremi me deklarata, duhet të më mirëkuptoni. Deklarata janë deklarata politike, janë mbi baza të tjera. Deklaratat janë të qeverisë së SHBA, ndërkohë ne hetojmë çështje penale në Shqipëri dhe nuk kemi dalë në konkluzion as po, as jo në lidhje me ato deklarata”, tha Kraja.