Në Kosovë, përmes ngjarjeve të ndryshme po shënohet 16-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Krerët shtetërorë kanë falënderuar aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë për kontributin e tyre për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në seancën solemne të Kuvendit, tha se miqtë ndërkombëtarë ishin me Kosovën në gjithë rrugëtimin, nga koha kur shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë, te shpallja e pavarësisë e deri më sot.
“Ndër këto aleanca, aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë”, tha Osmani.
Gjatë fjalimit, Osmani përmendi edhe ngjarjen e 24 shtatorit, kur një grup i armatosur serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë zyrtarin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Osmani tha se “prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë në qershor më 1999”.
Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se pa miqtë ndërkombëtarë, rruga e Kosovës drejt pavarësisë “do të ishte e pamundur”.
Gjatë seancës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish akuzoi Serbinë se qëndron prapa sulmit në Banjskë, teksa përsëriti se Beogradi po refuzon të nënshkruajë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur vitin e kaluar.
“Ajo fillimisht kishte refuzuar propozimin franko-gjerman të refuzojë nënshkrimin e planit franko-gjerman dhe nuk nënshkroi marrëveshjen bazike për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën që sjell fqinjësi të mire evropiane. Në vend të saj, ajo përfaqësoi terrorizmin. Edhe aty dështoi me turp përballë heroizmin dhe profesionalizmit të policisë sonë. Mirëpo, për mbrojtjen e Republikës sonë nga sulmi i financuar dhe drejtuar nga Serbia, u desh që sërish të jepnim dëshmor. Afrim Bunjaku i shtohet kësaj liste”, tha ai.
Më herët gjatë ditës u mbajt edhe një mbledhje e Qeverisë, ku kryeministri i i Kosovës, Albin Kurti, tha se sikurse në ditën kur u shpall pavarësia 16 vjet më parë, Kosova “ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim”.
Ai tha se Kosova në 16 vjet, me ndihmën e partnerëve të saj, është bërë “kontribuuese për paqe dhe garanci për paqe”.
Duke folur për të viktimat e luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, ai tha se me nderimin e tyre, duhet të vazhdohet rruga për ndërtimin e shtetit.
“U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin e pavarësisë. Mirënjohje e veçantë për partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë.
“Qoftë gjithmonë e fortë Republika jonë. Ne i dalim zot”, tha Kurti.
Pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë.
E para e shtetit tha se në këto 16 vjet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, teksa kujtoi dhe nderoi të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.